Xhafer Tahiri | Foto: Facebook

PDK-ja i Kërkon Xhafer Tahirit të Jetojë në Vushtrri

Shefi i grupit të PDK-së në asamblenë komunale në Vushtrri Ilmi Azemi, në mbledhjen e fundit të kuvendit komunal ka akuzuar kryetarin e komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahirin për shpenzimet që  bën çdo ditë për të udhëtuar nga Prishtina në Vushtrri dhe anasjelltas.

Azemi në atë mbledhje deklaroi se kryetari duhet të jetë transparent për harxhimet e tij, pasi që kur ka kandiduar për kryetar të komunës në formularin e dorëzuar në KQZ ka deklaruar se jeton në Stanovc të Poshtëm.

“Kërkojmë llogaridhënie dhe transparencë nga kryetari i komunës për çdo cent të qytetarëve që harxhohet”, kishte thënë Ilmi Azemi.

Ai më tutje kishte bërë një llogari për shpenzimet që mund të bëjë kryetari i Vushtrrisë duke udhëtuar nga kryeqyteti në komunën të cilën e drejton.

“Unë kam bërë një parallogari të shpenzimeve për të cilat kryetari kur ka vendosur të kandidojë për kryetar komune kurrë nuk ka thënë se do t’i shpenzojë. Bëhet fjalë për një vlerë që për mandatin katërvjeçar kap vlerën prej 121,425,00€ duke llogaritur shpenzimet e derivateve, mirëmbajtjes dhe amortizimin e makinës sipas normave ligjore vjetore”, ka thënë Azemi.

Azemi në emër të grupit të PDK-së në Vushtrri ka kërkuar nga Tahiri që të jetojë në Komunën e Vushtrrisë përderisa merr pagë në këtë komunë.

“Ju merrni pagën këtu nga taksat e qytetarëve,  prandaj duhet që edhe tatimin në pronë ta paguani këtu, ju duhet njëjtë si të gjithë qytetarët e Vushtrrisë të merrni shërbime shëndetësore këtu”, është shprehur Azemi.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me kryetarin e komunës Xhafer Tahirin në lidhje me akuzat që i janë bërë nga ana e PDK-së.

Ai tha për KALLXO.com se udhëton çdo ditë me veturën zyrtare nga Prishtina në Vushtrri dhe anasjelltas, por që nga fillimi i mandatit ka bërë publike të gjitha këto shpenzime.

“Të gjitha përfshihen në shpenzimet të cilat publikohen në faqen e komunës çdo javë. Çdoherë janë të përfshira edhe shpenzimet e derivateve, vetëm janë në fund të muajit”, tha Tahiri.

Ai shtoi se është zotuar për transparencë të plotë dhe gjithmonë do të publikojë shpenzimet, duke përfshirë edhe udhëtimet jashtë vendit.

KALLXO.com shkroi vazhdimisht për shpenzimet javore të Xhafer Tahirit.

http://kallxo.com/xhafer-tahiri-shpenzon-168-euro/

http://kallxo.com/kete-jave-kryetari-i-vushtrrise-shpenzoi-me-shume/