PDK e VV Bashkë për Zonat Zgjedhore

Propozimi i KIPRED për një lloj pavarësimi elektoral të anëtarëve karshi partive politike me zona zgjedhore u prit me kritika nga përfaqësues të pothuajse të gjithë partive politike në Kosovë

Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave prezantoi punimin ‘Sistemi partiak, partitë politike dhe reformat zgjedhore’ , me rekomandime për reformim të sistemit zgjedhor.

Mentor Agani, hulumtues i lartë i KIPRED-it prezantoi idenë e një sistemi zgjedhor që sipas tij funksionon në vende të shumta të botës.

“Përfaqësimi proporcional me anëtarësi të përzier është një sistem që përdoret nëpër vende të ndryshme me mjaft sukses. Është një sistem elektoral me zona elektorale dhe sistemi funksionon me dy vota, një votë e mbyllur për partinë në sistem kombëtar dhe një votë e hapur e zonës elektorale për kandidatë të caktuar”, shpjegoi  Agani.

Dardan Molliqaj, nga Lëviza Vetëvendosje kundërshtoi idetë e zonave elektorale dhe pavarësimit të kandidatëve në zgjedhje brenda partisë.

“Kosova është vend shumë i vogël, cili është kuptimi ta ndajmë? Ne vuajmë nga një aspekt provincial dhe ndarja e zonave do ta konservonte më tej këtë provincinalizëm. Unë jam në thelb në kundërshtim të garës në mes kandidatit dhe partisë, cila është ideja garimi në kuadër të partisë politike që ka një ide të caktuar dhe të kesh qëndrime të ndryshme nga ajo”, tha Molliqaj

Basri Musmurati nga Partia Demokratike e Kosovës gjithashtu u shpreh kritik ndaj idesë së votave të pavarura të kandidatëve brenda partisë.

“Nëse i analizojmë të gjitha legjislacionet si duhet na del se kur i kishim listat e mbyllura, partia ka pasur brenda probleme më të mëdha por ndoshta do të mund të nxirreshin kuadro më të fortë. Por të bëhesh deputet me votat e partisë, e ndoshta si i pavarur nuk do të kishe aq shumë vota dhe t’ia kthesh shkelmin partisë nuk e di sa është e drejtë”, deklaroi Musmurati.

Në këtë tryezë të rrumbullakët ishin të pranishëm dhe diskutuan gjithashtu Jakup Krasniqi nga Nisma për Kosovën dhe Magbule Shkodra nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Krasniqi vlerësoi se problemi nuk qëndron te ligji për zgjedhjet apo partitë por tek vullneti partiak për të respektuar këto ligje.