Ilustrim. Foto: Atdhe Mulla

PDK e LDK i Drejtohen Gjykatës Supreme me Ankesa

Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar Gjykatës Supreme pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, PZAP, i refuzoi ankesat që kishin të bënin me rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për kryetarët e komunave të Prizrenit, Rahovecit dhe Klinës.

Lajmin për ankesat e drejtuara Supremes e ka konfirmuar zyrtari i PDK-së, Blerand Stavileci.

Ai tha se brenda afateve kanë dërguar ankesat në këtë Gjykatë.

“Po, na brenda afatit ligjor të paraparë për dorëzimin e ankesave i kemi deponu të tri ankesat për komunën e Prizrenit, Rahovecit dhe Klinës. I kemi bërë ankesat gjatë 24 orëshit që i ka takuar PZAP-së dhe i kemi dërguar në Supreme. Tash presim pas 72 orëve sa është e paraparë ata me kthy përgjigje, deri të premten”, tha Stavileci për KALLXO.com.

Ai shtoi se pret nga Gjykata Supreme trajtim dhe shqyrtim të ankesave.

“Nga Gjykata Supreme presim me objektivitet me i trajtu dhe me i shqyrtu dhe me marrë vendim të drejtë dhe meritor pasi ka bazë të mjaftueshme të dëshmive dhe argumenteve që duhet me vendos edhe ne kemi të drejtë në atë që ne po kërkojmë”, shtoi Stavileci.

Gjykatës Supreme me ankesë i është drejtuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Florian Dushi nga LDK tha për KALLXO.com se kanë bërë ankesë vetëm për rinumërim të votave për kryetar të Komunës së Prishtinës.

“I jemi drejtuar brenda afatit ligjor Gjykatës Supreme por i jemi drejtuar vetëm për Komunën e Prishtinës”, tha Dushi.

Ai shtoi se pret nga Gjykata Supreme lejimin e rinumërimit të votave në Prishtinë.

“Presim me i marrë në konsideratë provat që i kemi ofruar të cilat kanë qenë të ofruar dhe për PZAP-në dhe me leju në njëfarë formë mbi bazë të atyre provave me leju rinumërimin si mekanizëm i vetëm dhe i domosdoshëm për me sqaru gjithçka në procesin zgjedhor”, tha Dushi.

Gjatë ditës së djeshme Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka refuzuar ankesat e subjekteve politike për rinumërim të votave në disa komuna të Kosovës.