Enver Hoxhaj në konferencë | Foto: KALLXO.com

PDK e Bindur - Qeveria do të Ketë Mandat të Plotë 4 Vjeçar

Partia Demokratike e Kosovës është mbledhur sot ku kanë diskutuar për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe mbi proceset tjera që e presin Kosovën.

Zëvendës kryeministri i Kosovës dhe Zëvendës Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj pas mbledhjes ka mbajtur një konferencë për media ku ka falënderuar 80 deputetët që e kanë dhënë votën pro kësaj marrëveshje.

“Ata me votën e tyre i thanë jo izolimit të qytetarëve, jo bllokimit të vendit dhe e tejkaluan një durim i cili e ka përcjellë jetën tonë politike në këto 3 vitet e fundit”, tha Hoxhaj në konferencën e organizuar për media.

“PDK-ja ka pasur një qëndrim konstant të pandryshueshëm, qëndrim të prerë për ta përmbyllur këtë proces dhe ne e shohim votën e deputetëve si të rëndësishme dhe vlerësojmë se vendi ka hyrë në një fazë të re, në një kthesë të re dhe kjo duhet të përdoret edhe për situata të reja në vend, siç është formimi i ushtrisë”, tha në mes tjerash Hoxhaj.

Sipas tij, formimi i Forcës së Armatosur të Kosovës nuk mund të bllokohet në pafundësi.

“Viti 2018 do të jetë vit vendimtar edhe për të marrë vendimin që Kosova të ketë një ushtri, jo vetëm me emër, jo vetëm një ministri të mbrojtjes, por ta fillojmë procesin e një ushtrie moderne që nuk paraqet kërcënim për askënd, por do të ishte një partner i NATO-së dhe i perendimorëve në rajon”, tha tutje Hoxhaj.

Ai ka kërkuar që konsensusi politik duhet të vazhdojë edhe për temat e brendshme e jo vetëm për tema të politikave të jashtme.

Ai ka thënë se që nga sot institucionet shtetërore do të fillojnë të komunikojnë me Brukselin për të kuptuar se çka duhet të ndodhë me procesin e liberalizimit të vizave.

Ai ka komentuar edhe deklaratat e zyrtarëve të LDK-së, të cilën kanë thënë se pas ratifikimit të kësaj marrëveshje vendi duhet të shkoj në zgjedhje.

“Mandati i kësaj qeverie dhe mandati i këtyre institucioneve do të jetë i plotë, 4 vjeçar. PDK-ja është e vendosur në këtë drejtim”, tha Hoxhaj.