PDK - Foto: Facebook

PDK Dënohet me 2.500 Euro

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pas paraqitjes së ankesës nga BIRN dhe Internews Kosova i ka shqiptuar gjobë në vlerë prej 2 mijë e 500 euro subjektit politik PDK.

NDËRLIDHUR

BIRN dhe Internews Kosova më datë 13 tetor 2017 ka paraqitur ankesë në PZAP, me të cilën pretendoi se PDK në Ferizaj ka përdorur persona nën moshën 18 vjeçare për të zhvilluar fushatë politike.

Në mbështetje të pretendimeve ankimore BIRN dhe Internews Kosova i ka bashkangjitur katër fotografi të cilat janë pranuar në platformën KALLXO.com ku shihen disa fëmijë të veshur me fanela të PDK-së në sheshin e qytetit të Ferizajt, fare pranë objektit të Komunës.

Në përgjigjen e saj, PDK thekson se pretendimet janë të pabazuara dhe nuk përbëjnë shkelje të rregullave zgjedhore.

“Nga fotot që janë prezantuar nuk mund të dëshmohet mosha e personave në to. Nuk është dhënë asnjë argument që dëshmon moshën e tyre, andaj në rastin konkret ankuesi duhet të sjellë fakte zyrtare me emra dhe mbiemra dhe moshën e tyre”, thuhet në përgjigjen e PDK-së.

PZAP pasi që shqyrtoi dhe vlerësoi shkresat e lëndës konstatoi se ankesa është e bazuar.

Në arsyetimin e vendimit thuhet: “Paneli nga fotografitë e ofruara si provë nga parashtruesi i ankesës, të cilat gjenden në shkresat e lëndës, në mënyrë të padyshimtë ka konstatuar se PDK në Ferizaj, ka përfshirë fëmijë në fushatë zgjedhore. Veprim ky që është në kundërshtim me nenin 5.2 të Rregullës Zgjedhore nr. 13/2013”.

Paneli, me rastin e shqiptimit të gjobës, mori parasysh të gjitha rrethanat për rastin konkret dhe konstatoi se subjekti politik PDK nuk merr pjesë për herë të parë në zgjedhje dhe se të njëjtit janë të njoftuar me rregullat zgjedhore.

Paneli po ashtu vlerësoi se dënimi me gjobë i shqiptuar prej 2 mijë e 500 euro ndaj subjektit në fjalë do të ndikojë që të mos përsëriten veprimet e kësaj natyre në të ardhmen.

ETIKETA

17 Tetor 2017 - 22:39

Petrit Kryeziu 17/10/2017 - 22:39
NDËRVEPRIMI0