Komuna e Prishtinës | Foto: KALLXO.com

PDK Akuzon VV-në për ‘Punësime të Militantëve’, Shpend Ahmeti Akuzon Kadri Veselin

Sekretari i degës së PDK-së në Prishtinë, Bujar Cakolli, në një konferencë para gazetarëve tha se LVV po i ikë llogaridhënies për punësimin e 486 personave në dy vitet e fundit.

Ai e quajti çerdhe të punësimit administratën e Komunës së Prishtinës, ndërsa shtoi se LVV njëjtë po vepron edhe me ndërmarrjet publike.

“Kemi parë përpjekjet e tyre për t’i ikur këtij skandali të punësimit partiak në Komunën e Prishtinës. Kemi parë përpjekjet për t’i dhënë konotacion tjetër kësaj teme, për ta relativizuar duke përmendur emra të përveçëm. Por, deri më tash, nuk kemi parë përgjegjësi dhe llogaridhënie prej tyre për qytetarët e Prishtinës”, tha Cakolli.

Para gazetarëve paraqiti një video me të cilën shihen se si janë të renditur personat për të cilët po akuzohet LVV-ja.

“Ndërmarrja Banesore e Prishtinës gjatë viteve 2015-2016 ka punësuar mbi 35 militantë të bandës së Vetëvendosjes me kontrata dhe 22 të tjerë për shërbime të veçanta, ku shumica e tyre vijnë nga qytete të tjera dhe aktivitet kryesorë kanë pasur hedhjen e gurëve, molotovit dhe përcjelljen e njerëzve me direktiva të Dardan Molliqajt”, shtoi ai.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar menjëherë pas kësaj konference por nuk është përgjigjur drejtpërdrejt në akuzat e PDK-së.

Duke iu përgjigjur Cakollit, Ahmeti tha se gjenerata e re e PDK-së janë “gjeneratë e shpifësve, mjegullkrijuesve, e portaleve të shpërndarjeve të lajmeve të rrejshme”.

“Gjenerata e re e PDK-së apo më mirë me e quajt gjenerata e Kadri Veselit, për dallim nga themeluesit, nuk është ngritur me sakrificë apo aktivizëm kombëtar por vetëm me servilizëm ndaj Kadrisë. Ky servilizëm është shpërblyer me financa e pushtet”, tha Ahmeti.

“E mira është se Kadria i nxori gati të gjithë mbi sipërfaqe dhe tash këta duhet me tregu vetën. Këta nuk kanë as konstituencë e as votues prandaj edhe nuk japin llogari publike por vetëm llogari te shefi ku shtyhen se cili shpifi më shumë e cili lujti me shumë lojë të flliqta. Kane qef krejt me u bo ShIK-a të vegjël”, tha Ahmeti.

“Kadria po e shkatërron PDK-në ashtu siç gati e shkatërroi Kosovën. Për këtë të dytën e kemi ndaluar dhe do ta ndalim, e për të parën si duket nuk ka shpëtim”, tha Shpend Ahmeti.