Edi Rama

PD e LSI: Qeveria 'Rama 2', Thellim i së Keqes

Kryeministri Edi Rama prezantoi të dielën ekipin e ri të ministrave: një qeveri e ngritur përgjithësisht mbi trashëgiminë e mandatit të parë. Në fjalimin e tij përpara Asamblesë së Partisë Socialiste, Rama tha se partia e tij i kishte fituar e vetme zgjedhjet për shkak të “urgjencës për ndryshim” dhe përsëriti premtimin se sfida e tij ishte bashkëqeverisja me njerëzit e zakonshëm.

“Ky është mandati ynë më i vështirë që kur unë jam në këtë detyrë. Fati i kësaj supersfide varet nëse ne do ta mbrojmë këtë super-pushtet nga vetja…,” tha Rama.

Siç ishte lajmëruar, kabineti qeveritar “Rama 2” do të ketë më pak portofole ministrore, e përbërë nga 11 ministri dhe 2 ministra shteti. Rama rikonfirmoi në postet kyçe Ditmir Bushatin, Arben Ahmetajn, Damian Gjiknurin, Lindita Nikollën, Mirela Kumbaron dhe ish-zëvendës kryeministrin Niko Peleshi.

Ditmir Bushati, [CV Link] i cili ka qenë në krye të diplomacisë për katër vitet e shkuara do të drejtojë sërish Ministrinë e Jashtme.

Arben Ahmetaj [CV link] u rikonfirmua në krye të Financave, ndërkohë që kompetencat e kësaj ministrie janë zgjeruar edhe me ato të Ekonominë dhe të Punës.

Damian Gjiknuri, [CV Link] i cili u vlerësua nga Rama si “një ndër administratorët më të aftë” do të ketë përveç Ministrisë së Energjetikës, edhe kompetencat që ushtroheshin më parë nga Ministria e Transporteve. Ky dikaster do të quhet Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës.

Ndërkohë, Lindita Nikolla do të vazhdojë të drejtojë Ministrinë e Arsimit, Mirela Kumbaro [CV Link]atë të Kulturës ndërsa Niko Peleshi do të jetë ministri i ri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Fatmir Xhafaj dhe Ogerta Manastirliu, dy ministrat jetëshkurtër të mandatit të parë për shkak të marrëveshjes që përfshiu në qeveri ministrat e propozuar nga Partia Demokratike, do të rikthehen në postet respektive te Ministria e Brendshme dhe ajo e Shëndetësisë.

Prezantimi i ministrave nga Rama u ndërpre herë pas here nga duartrokitjet, por jo të gjithë bashkëpunëtorët e tij të ngushtë mbetën të lumtur.

Emra të rëndësishëm të qeverisë së katër viteve të shkuara si Mimi Kodheli, Eglantina Gjermeni, Saimir Tahiri, Ilir Beqja apo Milva Ekonomi mbetën jashtë ekzekutivit.

Rama vendosi t’ia besojë Olta Xhaçkës [CV Link] postin e ministres së Mbrojtjes, ndërsa ministria e Turizmit dhe e Mjedisit do të drejtohet nga Blendi Klosi.

Ndërkohë, Rama ka përfshirë Pandeli Majkon në kabinetin e tij duke i dhënë postin pa portofol të ministrit të Shtetit për Diasporën si dhe ka përzgjedhur tre emra të rinj; ekonomisten Senida Mesi në postin e zëvendëskryeministrit, ish-drejtoreshën e Agjencisë së Pronave, Sonila Qato si ministre e Shtetit për mbrojtjen e sipërmarrësve dhe Etilda Gjonajn [CV Link] në krye të Ministrisë së Drejtësisë.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim-të dyja në opozitë, e kanë komentuar shpalljen e qeverisë së re si vazhdim të së vjetrës, ndërsa paralajmërojnë përkeqësim të situatës në vend.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi përmes një statusi në Facebook se qeveria e re do të thellojë krimin dhe korrupsionin në vend.

“Asgjë e re, vazhdim dhe thellim i së keqes. Kjo është qeveria e thellimit të korrupsionit dhe krimit,” shkroi Basha.

Përkeqësim në zhvillimin e vendit paralajmëroi edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

“E vetmja gjë e re në këtë qeveri të re me qeverisje të vjetër do të jetë fakti që Shqipëria po shkon drejt humbëtirës së pandalshme. Dhe jo vetëm ekonomike, por edhe shpirtërore,” komentoi Kryemadhi.