Kryetari i Istogut Haki Rugova | Foto: Atdhe Mulla

‘Pazari’ i Koalicionit LDK- PDK-së në Istog Ende s’ka Përfunduar

Drejtoritë komunale të Bujqësisë dhe Shëndetësisë pritet t’i takojnë PDK-së në bashkëqeverisje me LDK-në në Komunën e Istogut, ndërsa për një drejtori tjetër që do t’i takojë PDK-së ende janë duke u zhvilluar bisedime ndërmjet partnerëve të ardhshëm të koalicionit qeverisës komunal.

Kryetari i Komunës se Istogut, Haki Rugova, ka bërë të ditur se emërimi i drejtorëve të rinj do bëhet pas konstituimit Asamblesë Komunale dhe komiteteve për Politike e Financa dhe Komuniteteve.

“Drejtorët që kanë qenë të emëruar janë duke i ushtruar ende ato pozita. Ende nuk është konstituuar plotësisht Kuvendi Komunal, pasi që duhet të formohen edhe Komiteti për Politikë dhe Financa dhe Komunitete. Pasi të thirret seanca e rregullt, pastaj do fillojmë ndërkohë me emërimin e drejtoreve të drejtorive komunale” tha kryetari i Istogut për KALLXO.com.

Sipas marrëveshjes mes LDK-së dhe PDK-së për bashkëqeverisje lokale në Istog, tri drejtori do t’i takojnë PDK-së , ndërsa pesë të tjerat LDK-së.

http://kallxo.com/koalicioni-ldk-pdk-zgjedh-kryesuesin-e-asamblese-ne-istog/

Sipas kryetarit të degës së PDK-së në Istog, Beqir Sadikaj, me partnerin e koalicionit janë pajtuar që drejtoritë e Shëndetësisë dhe Bujqësisë të menaxhohen nga PDK-ja.

“Për dy drejtori jemi marrë vesh, kurse për një drejtori ende jo. Nuk është që kemi ndonjë mosmarrëveshje, mirëpo jemi në bisedime”, tha Sadikaj.

Ai theksoi se nuk kanë ndonjë kërkesë të veçantë për ta menaxhuar ndonjërën prej drejtorive komunale.

Në anën tjetër, Haki Rugova nuk ka folur shumë rreth ndarjes se drejtorive me partnerin e koalicionit PDK-në. Ai tha se ende nuk i janë dërguar emrat nga PDK-ja për udhëheqjen e tri drejtorive.

“Zyrtarisht ende nuk i kanë dërguar emrat (PDK-ja), kur t’i dërgojnë pastaj i shqyrtojmë”, tha Rugova për KALLXO.com

Ndërsa për ndarjen edhe një drejtorie për PDK-në, sipas marrëveshjes për koalicion, Sadikaj  për KALLXO.com tha se ende nuk janë marr vesh me LDK-në.