Pasuria 2 Milionë Euro e Lutfi Hazirit

Lutfi Haziri ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerën 1 milion e 650 mijë euro.

Sipas deklarimit të Hazirit, 1 milion e 535 mijë euro nga kjo pasuri ai e ka të trashëguar nga prindi i tij, 100 mijë euro e ka vlerësuar një banesë dhe 15 mijë euro një parcelë toke të blerë.

Edhe në deklarimin e mëhershëm të pasurisë i pari i Gjilanit kishte prezantuar të njëjtat pasuri të paluajtshme, veçse kësaj radhe disa tokave iu është ndryshuar vlera e tyre.

Në mars 2016, toka e trashëguar me sipërfaqe prej 4 mijë e 438 metrash katrorë ishte llogaritur në vlerën 320 mijë euro, ndërsa tash Haziri këtë pronë e ka vlerësuar 80 mijë euro më pak, duke e deklaruar si pasuri të paluajtshme me vlerë prej 240 mijë eurove.

Të njëjtën e ka bërë edhe me një tokë tjetër të trashëguar, 162 metra katrorë, të cilën e ka vlerësuar 30 mijë euro më pak.

Lutfi Haziri ka deklaruar para të gatshme në emër të tij në dy banka me vlerë prej 135 mijë e 948 euro. Edhe bashkëshortja e tij ka të para të gatshme prej 7 mijë e 100 euro në një institucion bankar.

52 mijë euro të gatshme Haziri i ka deklaruar në emër të prindit të tij. Në deklarimin e mëparshëm Haziri kishte deklaruar 214 mijë e 223 euro të gatshme.

Vitin e kaluar Haziri kishte deklaruar një kredi me vlerë prej 29 mijë e 625 euro, të cilën duket se e ka paguar të gjithën, pasi që nuk figuron në deklarimin e pasurisë për këtë vit.

Haziri përfiton 15 mijë e 512 euro në vit si kryetar komune si dhe 5 mijë e 333 euro përftime nga mëditjet dhe shpenzimet e udhëtimeve jashtë vendit. Ndërsa bashkëshortja e tij si anëtare e ansamblit “Shota” merr pagë mujore prej 370 eurove.

Ai i ka deklaruar edhe dy pensione të prindit të tij, i cili merr 1 mijë e 200 franga zvicerane dhe 70 euro pension të pleqërisë në Kosovë.

Haziri ka deklaruar edhe një veturë të tipit “Hyunday Matrix” në pronësi të bashkëshortes me vlerë prej 3 mijë eurove.