Shtrati i pastruar i lumit në Suharekë | Foto: KALLXO.com

Pastrohet Shtrati i Lumit në Suharekë

Në Debatin Përnime për Suharekën të zhvilluar gjatë fushatës për zgjedhjet e 22 tetorit ishte konstatuar se në këtë komunë ka shumë deponi ilegale të mbeturinave.

Për këtë debat, ekipi hulumtues i KALLXO.com kishte parë në terren se mbeturina ka edhe në lumin e qytetit.

Në debat ishte marrë vesh që në Suharekë ishte paraparë të ndërtohej një deponi e mbeturinave për të cilën njëkohësisht ishte ndarë lokacioni, por nuk ishte investuar në të.

Mungesat e Suharekës

Por kohëve të fundit gjendja ka ndryshuar për mirë, pasi shtrati i këtij lumi është pastruar.

Zëdhënësi i Komunës së Suharekës Reshat Reshitaj tha se kryetari Bali Muharremaj personalisht e ka ndjekur pastrimin e lumit.

“Kryetari ka dalë vazhdimisht 2-3 herë (për ta parë pastrimin e lumit) por e di se pastrimi i lumenjve do të jetë prioritet i kryetarit, pastrimi i të gjithë lumenjve”, tha Reshitaj.

Ai deklaroi se qeverisja komunale vazhdimisht do t’i pastrojë lumenjtë.