Ilustrim - Automjetet e kompanisë "Pastrimi" për heqjen e mbeturinave | Foto: Facebook

‘Pastrimi’ u Blen Telefona Anëtarëve të Bordit

Kompania “Pastrimi” nga të ardhurat vetanake të saj i ka ndarë 1 mijë e 380 euro për t’u blerë anëtarëve të bordit të saj telefona të mençur të markës Samsung Galaxy J5.

Nënshkrimin e kontratës kjo kompani e ka bërë të ditur në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Nga njoftimin për nënshkrimin e kontratës merret vesh se kompania do t’i shpërblejë me telefona të mençur anëtarët e bordit të kësaj kompanie.

Për këtë aktivitet të prokurimit si kriter është përdorur çmimi më i ulët.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në kompani për të marrë vesh më tepër lidhur me këto blerje.

Në përgjigjen nga “Pastrimi” thuhet se janë blerë 6 telefona mobilë.

“Janë blerë gjithsej 6 telefona mobilë të tipit Galaxy Samsung J5, të cilët janë blerë për anëtaret e Bordit të Drejtorëve të Kompanisë ‘Pastrimi’, Sh.A-Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e kompanisë.

Kompania thotë se ka shpenzuar 230 euro për një telefon të mençur të kësaj marke.

“Çmimi i një telefoni mobil ka qenë 230 euro për copë, për të cilën procedurë është udhëhequr aktivitet i prokurimit ashtu si e parasheh Ligji i Prokurimit Publik LPP”, thuhet në përgjigjen e kompanisë.

Në shkurtin e vitit të kaluar kompania “Pastrimi” kishte blerë 40 shishe “Wiskey Balantines” me çmim prej 10 euro e 30 centë.