Mblidhen pasardhësit e prishtinasve të vjetër

Pasardhësit e Prishtinasve të Vjetër Duan Qytet me Identitet

Ata që paralajmëruan më herët bashkimin në një shoqatë të pasardhësve të prishtinasve të vjetër, prezantuan sot konceptin e Forumit Qytetar të Prishtinës, si e quajtën nismën e tyre.

Bardhyl Metaj tha se forumi nuk lidhet me diskriminimin, por me gjithpërfshirjen.

Kjo nuk ka të bëjë me diskriminim, por me gjithpërfshirje. Kjo ka të bëjë me shënjim të majave që i ka arritur ky qytet përmes njerëzve të spikatur”, tha Metaj.

Ndërsa Muhamet Mustafa tha se çdokush që e ndjen veten prishtinas dhe e do Prishtinën mund të bëhet pjesë e forumit.

Forumi synon ta bëjë Prishtinën qytet me të cilin krenohen banorët e saj.

“Sot Prishtina i ka dhuru Kosovës kryeqytetin, por nuk guxon të mbetet pa qytet, nuk guxon të mbetet pa identitet, pra ne duhet të kujdesemi edhe për ambientin, për ndotjen e ajrit dhe për të gjithë ato nevoja që i kanë qytetarët”, tha më tutje Bardhyl Metaj.

Sezai Sylejmani, anëtari tjetër i Këshillit Inicues të Forumit Qytetar të Prishtinës, tha se forumi do të jetë opozitë e pushteteve të zgjedhura në Prishtinë.

“Mundet me u kuptu si një zë opozitar pa marrë parasysh kush është në pushtet në Prishtinë”, shtoi Sezai Sylejmani.

Megjithatë iniciuesit e këtij forumi thanë se do të bashkëpunojnë me ata që qeverisin Prishtinën, për të mirën e saj.

Dy temat e para që do t’i diskutojë forumi në shtator janë Ligji për Prishtinën dhe statusi i Qendrës së Rinisë.

“Është bërë një histori e dhimbshme ai ligj dhe po zgjatë shumë kohë dhe për shkak të kësaj stërzgjatjeje Prishtina humb edhe buxhet që do të duhet të merrte për komponentën si kryeqytet”, tha Muhamet Mustafa.

Forumi nuk do të ketë brenda vetes zyrtarë, por as anëtarë të udhëheqjeve të subjekteve politike, ndërsa synon t’i bëjë pjesë edhe prishtinasit në diasporë.

“Në do të synojmë që në këtë Forum të përfshihen edhe prishtinasit që jetojnë në diasporë”, tha Muhamet Mustafa.

Forumi do të ketë kuvendin ,këshillin drejtues prej 11 anëtarëve dhe gjashtë komisione të përhershme.

Forumi do të mbajë kuvendin e tij më 10 gusht, ndërsa është organizatë e pavarur, joqeveritare me formë të organizimit si shoqatë dhe me antarësim vullnetar.

Këshilli Iniciativ i Forumit Qytetar të Prishtinës i ka 30 anëtarë prej tyre Muhamet Mustafën, Bardhyl Metën, Sezai Sylejmanin, Enver Petrovcin, Shenida Bilallin e cila është pjesëtare e diasporës në Kroaci.

Gjithashtu Këshilli Iniciativ ka propozuar edhe tre anëtarë nderi që janë Adem Demaçi, Pashk Staka dhe Sherafedin Sylejmani.