Shqiptimi i dënimit në gjykimin për narkotikë | Foto: KALLXO.com

Pas Pendesës, nga 6 Muaj Burg për Posedim Droge

Gjykata Themelore në Prishtinë u shqiptoi dënimin me nga 6 muaj burg dhe nga 400 euro gjobë Berat Bulliqit e Blerand Galanit, të akuzuarve për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikeve, substancave narkotike, psikotrope dhe analoge.

Bulliqit e Galanit u ishte gjetur një sasi marijuane në banesën ku jetonin.

Para se të dënoheshin, Bulliqi e Galani pranuan fajësinë për veprën me të cilën ngarkoheshin, ndërsa shprehën pendesë të thellë dhe u zotuan se më nuk do të bien ndesh me ligjin.

Merita Bajraktari, avokatja e Berat Bulliqit i sugjeroi gjykatës që gjatë matjes së dënimit për të mbrojturin e saj pendesa e tij dhe pranimi i fajësisë të merren si rrethana lehtësuese.

“I mbrojturi im Berat Bulliqi për këtë vepër penale që e ka kryer konsideron dhe deklarohet se është i penduar thellë dhe i premton gjykatës se në të ardhmen nuk do të kryejë më vepra të tilla, e as çfarëdo qoftë tjetër vepre penale. Bazuar në këto që u thanë kërkoj nga gjykata që ndaj të mbrojturit tim Berat Bulliqi të shqiptojë një dënim sa më të butë të mundshëm”, tha avokatja Bajraktari.

Edhe Naim Rudari, avokati i Blerand Galanit kërkoi mes tjerash që gjykata të marrë parasysh faktin se i mbrojturi i tij nuk ka kryer më herët vepër penale.

“I mbrojturi im nuk ka qenë i dënuar më parë, është penduar thellë për rastin që ka ndodhur, ka shprehur garanci që nuk do të kryej një vepër të tillë në të ardhmen dhe të gjitha këto cilësohen si rrethana lehtësuese”, tha Rudari.

Pastaj trupi gjykues në krye me Vesel Ismajlin shpalli vendimin për Bulliqin e Galanin.

Berat Bulliqi e Blerand Galani akuzoheshin nga prokuroria se ne banesën të cilën banonin me qira pas një kontrolli nga ana e policisë u ishte gjetur sasi e konsiderueshme e substancave narkotike me peshë 646,69 gramë.

Sipas aktakuzës, të lartpërmendurit pa autorizim kanë blerë ose poseduar me qëllim të shitjes, shpërndarjes ose kanë ofruar për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, substanca psikotrope apo substanca analoge.