Pas Jahjagës Grafite edhe për Veselin

Në grafite është shfaqur fotoja e kryeparlamentarit së bashku me  mbishkrimin, “ From OWL chillin  98-99 with love Dr. Kadri Montana”.

Veseli është krahasuar me protagonistin e filmit “ Scarface” të vitit 1983, ku Montana luan rolin e liderit të mafies që kontrollon një pjesë të madhe të Amerikës.

Më 1 janar grafite ku Presidentja Jahjaga u shfaq në mënyrë të papërshtatshme u vizatuan në njërën nga muret e banesave në qendër të Prishtinës. Ato pastaj i fshiu Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës. Grafitet për Jahjagën u shfaqën përsëri dhe përsëri u fshinë nga ky rrjet.

Veseli reagoi për grafitet ku u paraqit Jahjaga, duke thënë se këto janë jo vetëm sulme ndaj Presidentes, por edhe ndaj mijëra vajzave e grave të Kosovës.

Policia e Kosovës foli në mënyrë të përgjithësuar kur u pyet për masat që do të ndërmarrë për zbulimin e autorëve të grafiteve.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani për Kallxo.com tha policia e Kosovës në të gjitha rastet ndërmerr veprime policore.

“Në të gjitha rastet Policia e Kosovës ndërmerr veprimet e saja policore në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent,” tha Kelani.

KALLXO.com kontaktoi edhe këshilltarin e Kadri Veseli, Blerim Latifi për ta pyetur për grafitet, por ai nuk u përgjigj.