Shkolla e re në Druar - Foto: Facebook

Pas Gjysmë Shekulli, Druari Bëhet me Shkollë të Re

Në fshatin Druar të Vushtrrisë sot është përuruar shkolla e re.

Në ceremoninë e përurimit të shkollës ishte edhe i pari i Komunës, Xhafer Tahiri.

Ai shfaqi shpresën se do të rritet cilësia e shkollimit në këtë shkollë.

“Ne si institucione komunale do të angazhohemi edhe më shumë që të sigurojmë kushte dhe ambient më të përshtatshëm për nxënësit dhe arsimtarët e komunës sonë, të krijojmë hapësira dhe ambiente adekuate edhe për mësim praktik, duke synuar kështu që të rrisim cilësinë e arsimit në të gjithë komunën tonë’’, ka thënë Tahiri.

Ndërsa drejtori i shkollës fillore “Abdyl Frashëri” në Druar, Vesel Uka, tha se ndërtimi i këtij objekti ka qenë tejet i nevojshëm për arsye se objekti i deritanishëm, i cili ka qenë i ndërtuar 51 vite më parë, është vjetruar dhe nuk i ka përmbushur as kushtet minimale për mbajtjen dhe zhvillimin e procesit mësimor.

‘Falënderojmë institucionet komunale për angazhimin e tyre dhe realizimin e këtij projekti, pasi që kishim shumë nevojë për një objekt të tillë. Tani neve na është mundësuar të punojnë në kushte normale dhe të zhvillojmë proces normal mësimor”, ka thënë drejtori.