Partia për Prosperitet Demokratik shuhet pas 27 vjet ekzistence - Foto: Facebook

Pas 27 Vjetësh Veprimtari, Shuhet Partia për Prosperitet Demokratik

27 vjet pas themelimit të partisë së parë shqiptare në Maqedoni, Partia për Prosperitet Demokratik vendosi të ndërpres aktivitet partiake si subjekt i vetëm politik.

NDËRLIDHUR

Disa me Ziadin Selën e disa me Bilall Kasamin. Ky është vendimi i anëtarëve të Partisë për Prosperitet Demokratik, të cilët do t’iu bashkëngjitet këtyre dy partive parlamentare.

Kryetari i PPD-së, Hajredin Kaza, tha se partia e tij do të përkrahë plotësisht kandidaturat e Aleancës për Shqiptarët për kryetarë komunash në Zgjedhjet Lokale të 15 tetorit.

Sipas Kazës, ata do të respektojnë dhe mbështesin marrëveshjen për bashkëpunim midis PPD-së dhe Aleancës për Shqiptarët.

“Ne kemi biseduar edhe me sekretarin gjeneral, Arben Taravarin, i cili aktualisht është edhe ministër i Shëndetësisë, që ne do ta mbështesim përfundimisht partinë e Aleancës për Shqiptarët. Sepse jemi pjesë e asaj aleance që u nënshkrua me 19 mars të këtij viti. Pavarësisht se ka grimasa dhe dikush kundërshton, por qëndrimi jonë i prerë është që ta mbështesim Aleancën për Shqiptarët”, u shpreh Hajredin Kaza, Kryetar i PPD-së.

Por, disa degë të PPD-së nëpër qytetet tjera nuk i binden vendimit të kryetarit Kaza.

Nga Kryesia e PPD-së thonë se duke synuar mos-shpërndarjen e votës shqiptare, kanë vendosur që Kuvendi qendror i partisë të përkrahë kandidaturën e “Lëvizjes Besa” për kryetar të Komunës së Tetovës, Komunës së Çairit, Komunës së Zhelinës dhe aktivistët e saj do të jenë pjesë e listës zgjedhore dhe shtabit zgjedhor të kësaj partie.

“BESA është e hapur për të gjithë, të cilës në vazhdimësi i bashkëngjiten individ, organizata dhe anëtarë që e kanë kuptuar se është e vetmja parti që mbron më dinjitet interesat e shqiptarëve. Njëjtë, siç na bashkëngjiten çdo ditë ekspertë të fushave të ndryshme, janë të mirëseardhur të gjithë ata që janë të bindur se ndryshimet e mëdha mund të bëhen vetëm me Lëvizjen BESA”, thonë në Lëvizjen BESA.

Pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë u krijuan kushte për pavarësimin e vendit dhe vendosjen e një rendi të ri demokratik.

PPD është partia e parë shqiptare në Maqedoni që u themelua më 15 prill të vitit 1990 nga kryetari i saj i parë Nevzat Halili.

Në zgjedhjet e para shumëpartiake parlamentare të mbajtura në nëntor të vitit 1990, Partia për Prosperitet Demokratik mori 23 vende në Parlamentin e ri.

PPD-ja ka marrë pjesë në të gjitha zgjedhjet e organizuara deri më tash dhe një dekadë e më tepër ka dominuar në skenën politike shqiptare në Maqedoni.

Sot, pas 27 vjetësh ekzistencë, kjo parti po i thotë lamtumirë skenës politike në Maqedoni. /21Media

27 Gusht 2017 - 20:22

RTV 21 27/08/2017 - 20:22
NDËRVEPRIMI0