Naser Kelmendi | Foto: BIRN

Pas 150 Seancave Gjykimi i Kelmendit Larg Fundit

Naser Kelmendi ishte arrestuar në maj të vitit 2013,  gjykimi ndaj tij ka filluar në janar të vitit 2015, ndërsa që nga ajo kohë edhe pse janë mbajtur 150 seanca e janë dëgjuar dhjetëra dëshmitarë, gjykimit nuk po i duket fundi.

Që nga arrestimi i tij në muajin maj 2013, Naser Kelmendi vetëm 33 ditë i kaloi në arrest shtëpiak, e pjesën tjetër në paraburgim.

Gjatë kësaj kohe dy herë gjykata themelore ia zbuti atij masën e sigurisë, ndërsa Gjykata e Apelit në të dy rastet e ktheu Kelmendin përsëri në paraburgim.

KALLXO.com së fundi ka raportuar se trupi gjykues i rastit Kelmendi është ndërruar dhe kjo mund të zgjasë edhe më tepër këtë gjykim.

Në vend të gjyqtares Mariola Pasnik, në trup gjykues është caktuar gjyqtari nga Republika Çeke, Vladimir Mikula.

Veprimi i fundit i ndërrimit të trupit gjykues në rastin e Kelmendit, përpos që mund të kthejë në pikën zero rastin Kelmendi, nga mbrojtja e Kelmendit po konsiderohet si shkelje e të drejtave të të akuzuarit.

Besnik Berisha për KALLXO.com thotë se ndërrimi i trupit gjykues në fazën finale të gjykimit, është padrejtësia më e madhe që po i bëhet Kelmendit dhe alarm i keq për objektivitetin e ndarjes së drejtësisë nga EULEX-i.

“Gjykata e EULEX-it ka dështuar që t’i sigurojë Kelmendit një gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme siç e obligon ligji, kushtetuta dhe aktet juridike ndërkombëtare”, tha Berisha.

Berisha thotë se prokuroria e EULEX-it ka pasur dështime në këtë rast.

“Prokuroria e EULEX-it ka abuzuar me mandatin e tyre dhe si rezultat i dështimeve të tyre të vazhdueshme në sigurimin e provave është stërzgjatur rasti Kelmendi”, tha Berisha për KALLXO.com.

Avokati i Kelmendit, më tej shtoi se këto veprime kanë ndikuar që Kelmendi dhe mbrojtja e tij të humbin besimin në sistemin e drejtësisë dhe objektivitetin e tij.

“E kemi parashtruar edhe sot në shqyrtimin gjyqësor se z. Kelmendi dhe mbrojtja tashmë kanë humbur besimin në përkushtimin, objektivitetin dhe ndarjen e drejtësisë në rastin e z. Kelmendi”, tha Berisha për KALLXO.com

Krejt në fund, Berisha tha se rasti i z. Kelmendi është shembulli më i keq dhe kjo mund të jetë çdo gjë, përveç drejtësi.

Naser Kelmendi po akuzohet lidhur me vrasjen e Ramiz Delaliqit në Bosnjë, e gjithashtu edhe për veprën penale të narkotikëve.

Shumica e dëshmitarëve në këtë proces gjyqësor kanë qenë nga Bosnja e në mesin e tyre edhe figura të njohura atje, si politikani dhe pronari i disa medieve Fahrudin Radonçiq.

Shkrimet e gjykimit të Naser Kelmendit mund t’i lexoni këtu.