Konferenca e "Demokracisë në Veprim" | Foto: KALLXO.com

Partitë nuk Tregojnë si i Shpenzojnë Paratë

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” në konferencën e parë për shtyp në lidhje me fushatën zgjedhore, tregoi se subjektet politike kosovare nuk janë të hapura për të treguar se si i shpenzojnë paratë.

David Ondráčka nga Transparency International në konferencë tha se bashkë me Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) kanë bërë një hulumtim në lidhje me transparencën e shpenzimit të parave të subjekteve politike.

“Ua kemi dërgu një pyetësor me 8 pyetje 39 subjekteve politike. Nga këto 39 parti vetëm 6 janë përgjigjur pozitivisht se si i shpenzojnë paratë e tyre”, tha Ondráčka .

Sipas tij se si i shpenzojnë paratë kanë treguar vetëm Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP), Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Lëvizja për Gorën dhe Qendra e Bashkimit Demokratik (CDU)

Përfaqësuesi i Transparency Internacional më tutje tha se nuk do të ndodhë që partitë të bëhen përnjëherë transparente, por shtoi se ende ato mund t’i përgjigjen pyetësorit dhe të tregojnë për shpenzimet.

“Ende kemi një javë deri në zgjedhje dhe u japim hapësirë subjekteve që dëshirojnë t’i bëjnë publike shpenzimet e tyre. Qëllimi është qe ato do të konkurrojnë me njëra- tjetrën se kush do të jetë më transparente”, tha Ondráčka.

Vitin e kaluar shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Natalya Apostolova, u kërkoi liderëve të subjekteve politike të publikojnë raportet e tyre financiare.

http://kallxo.com/kerkohet-te-dihet-si-po-financohen-partite/

Ndërsa Ismet Kryeziu nga “Demokracia në Veprim” tha se fushata e subjekteve politike po përcillet nga 60 vëzhgues të këtij koalicioni, ndërsa sipas tij janë ndjekur 77 tubime në terren.

Kryeziu tha se në 13 nga 77 aktivitetet elektorale të monitoruara nga “Demokracia në Veprim”, është vërejtur shfrytëzim i resurseve shtetërore.

Në këto tubime, sipas Kryeziut 21 për qind e atyre që u prezantuan ishin gra.

Edhe Kryeziu foli për mungesën e transparencës së subjekteve politike.

“Ne nuk kemi praktikë të mirë të transparencës nga partitë politike për shpenzim të parasë dhe resurseve publike”, tha Kryeziu.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të zhvillohen më 11 qershor, pasi qeveria u rrëzua nga një mocion mosbesimi në Kuvend më 10 maj.