Zyra e Partisë Progresive në Staro Sajmiste. Foto: BIRN.

Partia e Vuçiqit Hap Zyrë në Kampin e Përqendrimit

Partia Progresive Serbe ka hapur një zyrë në vendin e kampit të përqendrimit të Luftës së Dytë Botërore në Beograd, duke u kritikuar ashpër nga aktivistë të të drejtave të njeriut.

Partia Progresive e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, i cili është në pushtet në Beograd, ka tërhequr kritika për hapjen e një zyre në vendin e ish-kampit që drejtohej nga nazistët, i cili do të shndërrohet në një kompleks memorial.

Izabela Kisiq, drejtoresha ekzekutive e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, u shpreh se “është e qartë që nuk ka ndonjë qëllim të vërtetë për të krijuar një qendër përkujtimore” në Staro Sajmiste.

“Terreni duhet të pastrohet nga zaptuesit e tij, por në vend të kësaj ne shohim të ndodhë krejt e kundërta,” tha Kisiq për BIRN.

I ndodhur në atë pjesë të Beogradit që iu dorëzua Shtetit të Pavarur të Kroacisë, shtet kukull pro-nazist gjatë kohës së luftës, Staro Sajmiste u përdor si kamp përqendrimi dhe shfarosje për hebrenjtë, serbët dhe romët e Beogradit.

Vendimi i Partisë Progresive për të vendosur një banderolë të madhe të partisë në një nga ndërtesat që më parë përbënte kompleksin e kampit të përqendrimit tërhoqi gjithashtu kritika në mediat sociale.

“Ato s’e kanë vendin këtu. Këtu supozohet të ndërtohet një muze për Holokaustin,” shkroi një përdorues i Twitter. “Më vjen për të qarë,” komentoi një tjetër.

Banderola u var në murin e Pavionit Spasiq, ku ndodhej spitali i kampit, dhe që atëherë është hequr. Zyra e Partisë Progresive ndodhet në ndërtesën ngjitur.

Deri në kohën e publikimit të lajmit, partia nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN për vendimin për të hapur një zyrë në atë vend.

Autoritetet e qytetit të Beogradit gjithashtu s’iu përgjigjën kërkesës së BIRN në lidhje me planet e tyre për memorialin.

Menaxheri i qytetit të Beogradit, Goran Vesiq tha në janar se Staro Sajmiste do të bëhet “një qendër rajonale për hulumtimin e Holokaustit” e cila do të ngrihet me ndihmën e qendrës përkujtimore Yad Vashem të Izraelit.

“Do të ketë tre muze, një kushtuar vuajtjeve të hebrenjve, një tjetër për serbët dhe një i tretë për romët,” tha Vesiq më 11 janar.

Rreth 10,000 serbë, 7,000 hebrenj dhe të paktën 60 romë vdiqën në Staro Sajmiste në vitin 1941 dhe 1942. Kampi drejtohej nga gjermanët nazistë, por ishte policia serbe ajo që kreu arrestimet e hebrenjve.

Pas luftës nuk u bë asgjë për të ruajtur vendin e ish-kampit të përqendrimit. Një monument për viktimat u ngrit aty pranë në vitin 1995.

Ndërtesat janë përdorur për një sërë qëllimesh, strehë artistësh, një restorant dhe një palestër.

Megjithatë, menaxheri i qytetit, Vesiq, këmbënguli se do të ngrihet një qendër memoriale.

“I kemi nxjerrë njerëzit nga kulla kryesore. Po përfundojmë projektligjin që do të mundësojë vazhdimin më tej të projektit dhe po punojmë me projektin e qendrës përkujtimore,” tha ai.

Megjithatë, Kisiq theksoi se projektligji i parë u desh të tërhiqej pas vitin e kaluar pas një proteste publike.

“Ai mohoi plotësisht përfshirjen e Serbisë dhe të qeverisë së kryeministrit serb të kohës së luftës Milan Nediq në kamp,” tha ajo.

Kisiq tha gjithashtu se ishte “një turp” që Serbia nuk ka një qendër përkujtimore kushtuar persekutimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Federata e Komuniteteve Hebreje në Serbi nuk pranoi të komentonte për hapjen e zyrës së Partisë Progresive në Staro Sajmiste.