Parregullsi në Angazhimin e Specialistëve dhe Specializantëve

Sipas auditorit buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë është dëmtuar nga disa prej mjekëve specialistë dhe specializantë.

Raporti i Auditorit për vitin 2016 thotë se Ministria e Shëndetësisë nuk ka menaxhuar mirë çështjen e specialistëve dhe specializantëve të angazhuar në institucione shëndetësore.

NDËRLIDHUR

Sipas auditorit,  MSh-ja ka subvencionuar specializantët të cilët ishin në shkollim specialistik me vetëfinancim.

Auditori thotë se përveç kontratave për specializim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës me 40 orë punë në javë si angazhim primar, Ministria e Shëndetësisë u ka mundësuar specializantëve angazhimin prej tetë (8) orëve punë në javë si angazhim sekondar.

“Me kërkesë të ministrisë specializantët kanë nënshkruar deklaratat përmes të cilave pranojnë se nuk do të kenë angazhime tjera. Mirëpo ne kemi gjetur se 55 specializantë gjatë vitit 2016 kanë punuar edhe në institucione tjera shëndetësore (10 prej tyre në sektorin publik). Si rezultat, buxheti i ministrisë për vitin 2016 ishte dëmtuar në vlerë prej 281,652 eurove”, thuhet në raportin e auditorit.

Sipas këtij raporti ministria u kishte kompensuar specializantëve edhe nga dy kujdestari të cilat sipas kërkesave të Udhëzimit për Shkollimin Specialistik 10/2014, specializantët janë të obliguar t’i mbajnë.

Vlera e këtyre kujdestarive të kompensuara për këtë kategori të specializantëve për vitin 2016 ishte 86,630 euro.

Sipas auditorit, ministri duhet të sigurojë që të ndërpritet mbështetja financiare e specializantëve të cilët janë identifikuar se punojnë edhe në institucione tjera dhe të shqyrtohen mundësitë ligjore për të kërkuar kthimin e mjeteve të përfituara në kundërshtim me kontratat.

“Ne kemi identifikuar (përmes krahasimit të listës së pagave për muajin dhjetor me sistemin e ATK-së dhe payrollit) se 51 specializantë gjatë tremujorit 2016 kanë punuar edhe në institucione tjera private/publike (26 prej tyre janë në sektorin publik). Si rezultat, nga përfitimi i specialistëve dhe specializantëve në kundërshtim me marrëveshjet e nënshkruara, buxheti i ministrisë ishte dëmtuar në vlerë prej rreth 70,000€”, thotë auditori.

Punësimi i specialistëve

Auditori thotë se edhe  punësimi i specialistëve në sektorin publik shëndetësor ishte shoqëruar me parregullsi.

“ Ne kemi evidentuar se 34 specialistë të cilët janë angazhuar nga MSh, kishin punuar gjatë vitit 2016 në institucionet publike (15 prej tyre kishin vazhduar të punojnë në institucione publike edhe pas angazhimit në MSh – në institucionet publike kanë realizuar pagë primare, derisa në MSh kanë pasur kontrata për kohë të caktuar. Derisa dy të tjerë ishin duke punuar në sektorin publik shëndetësor)”, thotë auditori.

Auditori konstaton se ekziston rreziku që nga mungesa e mekanizmave për monitorimin dhe verifikimin e te ardhurave të specializantëve/specialistëve të cilët subvencionohen nga MSh-ja të bëhen pagesa në kundërshtim me kërkesat ligjore dhe si pasojë me dëmtim të buxhetit të ministrisë.

Auditori rekomandon që përparësi t’u jepet specialistëve të cilët nuk janë fare të punësuar, derisa specialistët që punojnë edhe në institucione tjera publike duhet të përcaktojnë pagat primare dhe sekondare në pajtim me kërkesat ligjore.

Po ashtu, specialistët të cilët janë identifikuar se punojnë në shërbimet primare shëndetësore, duhet të konsiderohet ndërprerja e marrëveshjeve .

KALLXO.com ka raportuar disa herë për çështjen e specialistëve dhe specializantëve të cilët disa herë kishin protestuar për të kërkuar vende të punës dhe për t’u ankuar për padrejtësi në konkurset e shpallura nga Ministria e Shëndetësisë.

Specialistët e Papunë ‘i Bijnë në Derë’ Ministrisë

Specialistët e Mjekësisë Ende nuk janë Paguar nga Ministria

Mjekët Specialistë Në Protestë, Kërkojnë Vende Pune

http://kallxo.com/specializantet-e-mjekesise-kerkojne-ndihme-nga-veseli/

04 Korrik 2017 - 17:01

Paulina Nushi 04/07/2017 - 17:01
NDËRVEPRIMI26

Parregullsi në Angazhimin e Specialistëve dhe Specializantëve

by Paulina Nushi
NA NDIQNI

Send this to a friend