Qeveria e Maqedonisë - Foto: Rtv21

Paratë dhe Uniformat Policore të Maqedonisë Edhe në Shqip

Neni 8 i propozimligjit të ri për përdorimin e gjuhëve e përkufizon saktë se uniforma dygjuhësore do të ketë në Shkup si dhe në të gjitha komunat ku jetojnë komunitete tjera që nuk janë maqedonas, e që janë së paku 20%.

“Uniformat e policisë, zjarrfikësve, shëndetësisë, në Shkup dhe në komunat në të cilat 20% të qytetarëve flasin gjuhë tjetër zyrtare nga ajo maqedonase, shkruhen në gjuhë maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik si dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% të qytetarëve të RM dhe shkrimin e saj”, parasheh propozimligji për përdorimin e gjuhëve, neni 8, alineja 3.

Elemente të kulturës shqiptare do të ketë edhe në bankënota dhe monedha, kurse në dy gjuhë do të jenë edhe pullat postare.

Përveç komunikimit me qytetarët që duhet ta zhvillohet edhe në gjuhën e tyre shqipe, institucionet shtetërore do të duhet të kenë edhe ueb faqet e tyre në gjuhën shqipe.

Ligji i ri e përcakton saktë se kryetari i Kuvendit si dhe kryetari i komisioneve të Kuvendit, ka të drejtë që ta udhëheq seancën në gjuhën që e flasin më së paku 20% të qytetarëve, e që është gjuha shqipe.

Në dy gjuhë do të duhet të jenë edhe tabelat e institucioneve, madhësia e shkrimit do të jetë e njëjtë, por ligji e përcakton që shkrimi i parë të jetë në gjuhën maqedonase.

Megjithatë, nga Lëvizja Besa vlerësojnë se propozimligji i ri nuk zyrtarizon përdorimin e gjuhë shqipe.

“Opinioni publik, veçanërisht opinioni publik shqiptar viteve të fundit ka pasur shpresa reale, konkrete se më në fund ka ardhur koha dhe janë plotësuar të gjitha kushtet që përfundimisht gjuha shqipe të zyrtarizohet. Fatkeqësisht edhe propozimi i fundit i qeverisë nuk e zyrtarizon gjuhën shqipe, por thjeshtë bën një avancim të përdorimit të saj në institucionet përgjegjëse”, tha Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa.

Zendeli tha se BDI vazhdimisht ka mashtruar opinionin publik se gjuha shqipe është zyrtare që nga viti 2008, kur janë bërë ndryshimet në Ligjin për përdorimin e gjuhëve, por sipas tij, se nuk ka qenë kështu e dëshmon edhe propozimi i fundit i Qeverisë.

Ai tha se partia e tij në ditët në vazhdim do të dalë me analizë konkrete se çka përmban ligji. /21Media