Paralajmërohet Standardizimi i Paketimeve të Duhanit

I miratuar më 2013, Ligji për Kontrollin e Duhanit përveç nga qytetarët nuk po respektohet as nga institucionet, të cilat janë të thirrura ta zbatojnë atë.

Këtë e pranoi edhe vetë ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, me rastin e shënimit të Ditës Botërore Pa Duhan, ngjarje gjatë të cilës u paralajmërua standardizimi i paketimeve të duhanit edhe në Kosovë.

 
“Sot nuk jemi në pozitën për të deklaruar se ky Ligj po zbatohet ashtu si u zbatua në vitin e parë dhe të dytë të jetës së tij, sepse shkeljet janë evidente madje edhe në institucionet që do të duhej ta promovonin atë siç janë institucionet publike”, tha ministri.
Por, sipas Rrahmanit, këto rezultate nuk duhet të jenë dekurajim sepse zbatimi i këtij Ligji është i vështirë çdokund.

 

Rrahmani tha se pako të standardizuara me fotografi dekurajuese në paketime është një masë për ngritjen e vetëdijes te duhanpirësit.

“Një masë që ka ndikuar në uljen e konsumimit të duhanit në mesin e të rinjve në vende të ndryshme të botës”, tha Rrahmani.

Prezantimin e pakove të standardizuara të duhanit e bëri shefi i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Skender Syla.

“Neni 11 i urdhërrëfyesve të Konventës të Organizatës Botërore të Shëndetësisë spjegojnë paketimin e standardizuar si masë për të parandaluar përdorimin e logove, ngjyrave, imazheve të brendeve apo informatat promovuese me paketime përveç emrit të brendit dhe të produktit i cili është i shtypur me ngjyrë dhe formë standarde”, tha Syla.
Ai prezantoi disa forma të këtyre paketimeve që kanë gjetur zbatim në vende të ndryshme.

Duke folur për rezultatet e një hulumtimi që kishtë bërë Instituti Kombëtar i Shëndetiti Publik të Kosovës, drejtori i këtij institucioni, Naser Ramadani, tha se konsumimi i duhanit është i përhapur shumë edhe te nxënësit në shkolla fillore e të mesme.

”Një e treta e nxënësve kishin pirë cigare ndonjëherë, ku një nga pesë nxënës të tillë këtë shprehi e kishin filluar para moshës 10-vjeçare. Nga ky hulumtim doli se më shumë se një prej dhjetë nxënësve tashmë përdorte duhanin pa dallim gjinie”, tha Ramadani.

 
“Jeta në Kosovë” ka raportuar disa herë për moszbatimin e këtij Ligjit për Kontrollin e Duhanit, duke paraqitur raste nga më të ndryshmet.

Në njërin prej këtyre raportimeve është treguar se si pihet duhani në kundërshtim me Ligjin edhe në lokalin e një inspektori.

Duhani Pihet edhe në Lokalin e Inspektorit (TV)

Era Tym Duhani në Komunë të Gjakovës (TV)