Nga një protestë e mëhershme në Gjakovë kundër pelegrinëve serbë - Foto: KALLXO.com

Paralajmërohet Protestë Kundër Vizitorëve Serbë në Gjakovë

Iniciativa qytetare e nisur nga Ideal Zhaveli, Sanije Berisha, Shkendie Hoda, Mevlyde Saraçi dhe Flamur Bellaja kanë paralajmëruar për të shtunën një protestë paqësore për kundërshtimin e siç thonë ata “vizitës së kriminelëve serbë në emër të pelegrinazhit”.

I kontaktuar nga Kallxo.com njëri nga organizatorët, Ideal Zhaveli tha se kanë parashtruar një kërkesë në Prokurorinë Themelore të Gjakovës për të ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të atëhershëm të Gjakovës, D.S.

“Sot e kemi nisur një padi kundrejt ish kryetarit të Gjakovës, D.S., i cili ka marrë pjesë në krime, sepse ky dhe disa të tjerë vinë në Gjakovë në emër të pelegrinazhit ndërsa janë njerëz që kanë marrë pjesë në krime.” tha Zhaveli.

Ndërkaq nga ana tjetër Zhaveli tha se kanë gjetur përkrahje nga një numër i konsiderueshëm i shoqërive civile në Gjakovë dhe protesta do të nisë nga ora 8:00 të mëngjesit.

“Janë bashkangjitur një numër i madh i organizatave jo qeveritare në organizim, ne i kemi lajmëru policinë me kohë për këtë aktivitet dhe do të dalim qysh në ora tetë në mëngjes sepse nuk jemi të informuar saktë në sa ora do ti vinë të ashtuquajturit pelegrinë.” përfundoi Zhavel.

Pelegrinët serbë  në mënyrë tradicionale vizitojnë Kishën e Gjakovës  për krishtlindjet ortodokse.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar lidhur me këto vizita dhe trazirat e shkaktuara nga protestat e qytetarëve të Gjakovës.