Paraburgim të Pandehurve për Plagosjen e Dëshmitarit të Fajdeve

Një muaj paraburgim është masa e sigurisë e vendosur ndaj të pandehurve nga Prizreni me inicialet N.P. dhe L.K., të cilët dyshohen për sulmin me sëpatë dhe revole kundër dëshmitarit të një rasti të fajdeve.

“Të pandehurit dyshohen për shkelje të Kodit Penal, sepse më datë 11.01.2017, rreth orës 17;00 përkatësisht në rrugën “Aleksandër Flamengo” në bashkëveprim mes vete, me dashje dhe paramendim, tentojnë ta privojnë nga jeta të dëmtuarin me inicialet I.B., të cilin në lokalin e tij e sulmojnë, njëri me sëpatë dhe tjetri me armë zjarri duke shtënë dy herë në të, dhe të cilët i shkaktojnë plagë në pjesën e poshtme të trupit- këmbë”, tha zëdhënësja e Gjykatës në Prizren, Afërdita Kicaj.

Sipas Kicajt, e gjithë kjo është bërë me qëllim të hakmarrjes që të mos dëshmoj si dëshmitar në një proces gjyqësor që është duke u zhvilluar pranë kësaj gjykate ku i akuzuar është i pandehuri me inicialet N.P.

Me këtë veprim të pandehurit me inicialet N.P. dhe L.K dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasje në tentativë dhe për të pandehurin N.P. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Policia e Prizrenit njoftoi më 13 janar për arrestimin e dy të dyshuarve.

http://kallxo.com/dy-te-arrestuar-per-plagosjen-e-deshmitarit-te-fajdeve/

Ibrahim Kazazi është plagosur në këtë sulm më 11 janar, një ditë para se të dëshmonte në gjyqin kundër 10 personave, të cilët akuzohen për marrje me fajde.

KALLXO.com raportoi për plagosjen e dëshmitarit, i cili në gjyq konsiderohet si palë e dëmtuar.

http://kallxo.com/plagoset-deshmitari-fajdeve-nje-dite-para-deshmise-ne-gjykate/

Për rastin e sulmit ndaj Kazazit i dyshuar është edhe Gj.P., i cili gjendet në arrati.

Po ashtu, KALLXO.com e intervistoi të plagosurin Ibrahim Kazazi, i cili tha se sulmi mund të ketë lidhje me dëshminë që do të duhej ta jepte të nesërmen e ditës së sulmit në procesin për fajde.

Në mesin e personave të akuzuar për fajde është edhe Bernard Perlazri, i cili në një lëndë tjetër është i akuzuar për vrasjen e Hekuran Morinës.

http://kallxo.com/bernard-perlazri-shan-kercenon-dhe-kerkon-te-gjykohet-nga-eulex-i/