Foto-ilustrim

Paraburgim të Dyshuarve për një Varg Veprash Penale

Një muaj paraburgim është masa e sigurisë e caktuar ndaj dy të pandehurve nga Vlashnja e Prizrenit, të cilët akuzohen për kryerje të disa veprave penale.

D.H. dhe S.H. dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale: falsifikim i letrave me vlerë dhe instrumenteve të pagesës, falsifikim i dokumenteve si dhe veprën penale – rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.

“Gjykata Themelore në Prizren e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaj të pandehurve me inicialet D.H. dhe S.H.”, tha zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj.

Sipas Gjykatës, të pandehurit dyshohen për shkelje të Kodit Penal, sepse prej datës së pavërtetuar e deri më 27 dhjetor 2016, në Prizren, në marrëveshje paraprakisht në mes vete, i ndryshojnë letrat me vlerë me qëllim të përdorimit si të vërteta dhe për t’ia dhënë tjetrit për t’i përdorur

“Të pandehurit, në agjencinë e tyre “Geosmart Consulting” i falsifikojnë duke i ndryshuar aktgjykimin me numër C.nr.873/08, vërtetimin e tatimit të pagesës, faturën e pagesës për regjistrimin e aktgjykimit, konfirmimet e transaksioneve të “Raiffaisen Bank”, kërkesën për regjistrimin e palujtshmërisë, fotokopjen e letërnjoftimit, aktin mbi konfirmimin e aktgjykimit, të gjitha këto në emër të dëmtuarit gjyqtarit me iniciale F.S., aktgjykimin C.nr.763/08, në emër të dëmtuarit, prokurorit me iniciale M.S. me dokumentacion të njëjtë përcjellës si dhe aktgjykimin C.nr.653/10 në emër të dëmtuarit, prokurorit me iniciale G.N. , me dokumentacion të njëjtë përcjellës”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

Sipas kësaj komunikate, pasi të njëjtat i kompletojnë duke i vendosur në tri pliko për secilin të dëmtuar, i pandehuri me iniciale D.H. i dorëzon në sportelin e Postës në Prizren në adresë të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Prizren kinse për bartjen e pronësisë, të cilat dokumente të gjitha janë të falsifikuara.

Me këtë veprim të pandehurit me inicialet D.H. dhe S.H. dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale falsifikim i letrave me vlerë dhe instrumenteve të pagesës, falsifikim i dokumenteve dhe vepra penale, rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.

KALLXO.com edhe më parë shkroi për këtë rast.

http://kallxo.com/arrestohen-te-dyshuarit-per-keqperdorim-te-emrave-te-gjyqtareve-e-prokuroreve/