Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Paraburgim të Dyshuarit që u Aksidentua e i Vuri Flakën Veturës

Gjykata në Prizren ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për të caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit me iniciale V.S. nga Prizreni.

Sipas komunikatës së Gjykatës, i pandehuri dyshohet se më 04.11.2017 rreth orës 04:30 minuta, në rrugën “Ismail Kryeziu”, në lagjen “Arbana”, duke e drejtuar automjetin e llojit “Fiat Bravo”, pa targa të regjistrimit, e godet  një shtyllë të ndriçimit dhe pastaj me dashje i vë flakën veturës në pronësi të panjohur.

E gjithë kjo bëhet me qëllim të dëmtimit të asaj veture dhe largohet nga vendi i ngjarjes.

Si pasojë e këtij veprimi të kundërligjshëm shkakton dëm material në shtyllën elektrike dhe lëndime trupore merr i dëmtuari që ishte pasagjer.

“Duke e pasur parasysh se vepra penale është kryer në hapësirë publike ku ka mundur të rrezikohet edhe jeta e të tjerëve, forma e kryer është e dhunshme, duke përdorur zjarrin për të arritur qëllimin, gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit” thuhet në komunikatën e Gjykatës.

Në bazë të veprimeve të lartcekura, i pandehuri në fjalë dyshohet se ka kryer veprën penale zjarrvënie, për të cilën parashihet dënimi deri në 5 vjet burg.