Paraburgim të Dyshuarit për Krime Lufte

Dje në Gjykatën Themelore në Mitrovicë i është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh Zoran Vukotiqit që u ekstradua në Kosovë nga Mali i Zi të enjten.

Lajmin për këtë masë sigurie ndaj Vukotiqit e bëri të ditur për KALLXO.com Besa domi, zëdhënësja e EULEX-it.

“Në një seancë të mbajtur dje në Gjykatën Themelore të Mitrovicës , Zoran Vukotiq i dyshuar për krime të luftës i cili u ekstradua nga Mali i Zi në Kosovë të enjten e kësaj jave dhe në bazë të një kërkese të paraqitur nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), i është caktuar paraburgimi  për një periudhë prej 30 ditësh me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake,’ tha Domi.

Ajo tregoi edhe për rajonin ku Vukotiq dhe persona tjerë dyshohen se kanë kryer krime.

“Vukotiq dhe të tjerët janë të dyshuar për përfshirje në një seri të krimeve të luftës të kryera kundër popullatës civile në ose rreth qytetit të Vushtrisë gjatë  konfliktit 1998/1999, duke përfshirë masakrën e 104 civilëve në ose në afërsi të fshatit Studime të Vushtrrisë,” sqaroi Domi.

Vukotiq u ekstradua nga Mali i Zi në Kosovë të enjten.