Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Paraburgim Taksistit për Aksidentin te Mensa

Të dyshuarit për aksidentin e djeshëm në udhëkryqin te mensa e studentëve në Prishtinë ku vdiq një person i është caktuar sot paraburgimi prej 30 ditësh

KALLXO.com ka siguruar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit.

Sipas këtij aktvendimi, i dyshuari për aksidentin ishte duke lëvizur me shpejtësi prej 98 kilometrash në orë në rrugën në të cilën shpejtësia e lejuar ishte 40 kilometra në orë.

“Duke pasur parasysh faktin se i pandehuri nga Policia e Kosovës i janë shqiptuar 27 tiketa dhe shumica nga ato janë për trafik publik, nga prova materiale GPS shihet se i njëjti ka zhvilluar shpejtësi rreth 98 km/h në rrugën ku shpejtësia e lejuar është 40 km/h”, thuhet në të.

Në seancën e sotme të shqyrtimit fillestar prokurori paraprakisht paraqiti kërkesën për caktimin e paraburgimit duke e konsideruar si të bazuar.

Në aktvendim thuhet se prokurori ka konsideruar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e kësaj mase, duke shtuar se ekzistojnë rrethana përmes së cilave rrezikohet ikja e të pandehurit, ajo e ndikimit në të dëmtuarin, e po ashtu rreziku i përsëritjes së veprës penale.

Këtë kërkesë e ka kundërshtuar avokati i B. B. Haxhi Millaku, duke theksuar se një vepër e tillë penale kryhet vetëm nga pakujdesia.

“Kjo vepër penale kryhet vetëm nga pakujdesia, që nënkupton se nuk ekziston dashja në as një formë. I mbrojturi im ka treguar adresën e plotë, vendin e punës dhe i ka premtuar Gjykatës se në çdo kohë do ti përgjigjet prokurorisë”, janë fjalët e cituara të avokatit.

Përkundër kundërshtimit të avokatit, gjyqtarja e procedurës paraprake ka vendosur që t’i caktojë të dyshuarit masën e paraburgimit me arsyetimin se ekziston dyshimi i bazuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet.

Në arsyetim thuhet se i njëjti duke vepruar në kundërshtim me ligjin për rregullat e trafikut publik, ka rrezikuar trafikun publik ku si pasojë e kësaj është shkaktuar aksidenti me fatalitet në të cilin ka mbetur një i vdekur dhe katër persona tjerë kanë pësuar lëndime trupore.

KALLXO.com shkroi për aksidentin e djeshëm.