Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Paraburgim Shtetasit Finlandez, iu Gjet Arsenal Armësh

Gjykata në Mitrovicë ia ka vazhduar edhe për një muaj paraburgimin shtetasit finlandez, në banesën e të cilit u gjet arsenal armësh.

I dyshuari, Ismet Raifi, më 10 gusht të këtij viti kishte shkuar në stacionin policor në jug të Mitrovicës dhe kishte deklaruar se në banesën e tij janë vjedhur 30 – 40 shtaga të peshkimit, vlera e të cilave ishte 4.000 deri në 5.000 euro.

Pas marrjes së kësaj informate njësia e hetimeve kishte shkuar në banesë dhe ka hasur në një granatë dore dhe një qese në të cilën dyshohej të ketë pasur substanca narkotike apo municion, një radio-lidhje dhe dy palë pranga.

Pas konsultimit me prokuroren Radica Miliq, policët kishin vazhduar bastisjen në banesën e të dyshuarit, ku prezentë ishin edhe gruaja e tij A. Maliqi dhe vëllai i saj S. Maliqi.

Policia në pjesë të ndryshme të banesës dhe në veturën e të dyshuarit kishte gjetur një sasi të konsiderueshme të armëve.

I dyshuari kishte edhe një aparat saldimi, i cili ishte hapur në prezencën e tij dhe të avokatit Lirim Perquku dhe brenda ishte gjetur një numër i madh i pajisjeve për armë, në mesin e tyre 224 fishekë, 100 copë fishekë të kalibrit të vogël, 251 copë predha, 15 laserë për armë, 6 doreza për armë, 3 granata dore, revole në formë të lapsit kimik etj.

Prandaj, me kërkesën e prokurorit, Gjykata Themelore e Mitrovicës i vazhdoi masën e parburgimit edhe për një muaj tjetër shtetasit finalndez.

Prokuroria kishte thënë se meqë i njëjti është shtetas i Finlandës dhe me vendbanim të përhershëm atje i njëjti shumë lehtë mund të largohet nga Kosova apo të fshihet në vendet e tjera në të cilat organet e ndjekjes nuk kanë juridiksion.

Sipas arsyetimit të Gjykatës, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, duke pasur parasysh faktin se i njëjti nuk ka poseduar fare autorizim për furnizim, posedim, importim apo shitje të armëve dhe për faktin se një numër kaq i madh dhe i këtij lloji të armëve është asbolutisht i ndaluar dhe i rrezikshëm të gjitha këto fakte tregojnë se po qe se i dyshuari do mbrohej në liri mund të përsërisë vepra të tilla penale dhe të pengojë  rrjedhën e procesit dhe të ndikojë të dëshmitarët.

Ismet Raifi po dyshohet të këtë kryer veprën penale pjesëmarrja ose organizmi i grupit kriminal të organizuar, importi, eksporti, furnizimi, transporti, prodhimi, këmbimi, ndërmjëtisimi, shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve të sanksionuar me ligjet e Kosovës.