Paraburgim Shtatë të Dyshuarve për Kontrabandim Me Migrantë

Shtatë të arrestuarve më 9 dhjetor nën dyshimet për kontrabandim me migrantë u është caktuar të premten paraburgimi prej një muaji.

Të shtatët dyshohen edhe për falsifikim të dokumenteve.

Prokurorja kërkoi paraburgim për të gjithë të dyshuarit, ndërsa në seancën dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë gjyqtari i procedurës paraprake aprovoi këtë kërkesë.

Sipas prokurorisë, Skender Berisha, Fatmir Krasniqi, Florim Krasniqi, Florent Krasniqi, Miftar Krasniqi, Arben Ndrecaj dhe Granit Uka duke vepruar si grup edhe me persona tjerë të paidentifikuar gjatë periudhës dhjetor 2014 e deri më datën 09 dhjetor 2015 me qëllim që vetes t’i sjellin përfitim  kanë kontrabanduar migrantë nga Kosova në shtete të ndryshme të Evropës.

Prokuroria pretendon se Miftar Krasniqi, Arben Ndrecaj dhe Skender Krasniqi kanë mbajtur kontakte me persona të ndryshëm duke u  siguruar të interesuarve rregullimin e dokumenteve tëfalsifikuara dhe duke marrë prej tyre shuma të ndryshme të parave. Këto dokumente i kanë sjellë më pas te të dyshuarit Fatmir Krasniqi, Florent Krasniqi dhe FlorimKrasnqi duke shkuar në lokacione të ndryshme në Prishtinë.

Pas seancës dëgjimore, edhe Asdren Hoxha, avokati i Miftar Krasniqit konfirmoi caktimin e paraburgimit për shtatë të dyshuarit.

“Ne sot në mëngjes e kemi mbajtur seancën për caktimin e masës së sigurisë, fatkeqësisht tani e pranuam vendimin nga Gjykata Themelore në Prishtinë e cila ka vendosur ta aprovojë kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit dhe ka caktuar paraburgimin prej 30 dite për të gjithë të dyshuarit”, tha Hoxha.

Hoxha paralajmëroi ankesë, pasi e konsideroi të mangët kërkesën e prokurorisë për cakim paraburgimi.

“Edhe pse si avokat mbrojtës duke pasur parasysh që kërkesa e prokurorisë ishte e mangët e pabazuar dhe jo e arsyetuar mjaftueshëm, nuk është thirrur në asnjë provë konkrete për ta formuar bindjen te gjykata, kam pritur që e njëjta të refuzohet dhe së paku të caktohet ndonjë masë alternative e paraparë me dispozitat ligjore. Neve na ka mbetur që në afat prej 24 orësh të dorëzojmë ankesën në Gjykatë të Apelit,” tha Hoxha.