Gjykata Themelore në Gjilan - Foto: KALLXO.com

Paraburgim për të Dyshuarit për Sulm me Motive të Hakmarrjes

Gjykata Themelore në Gjilan përmes një komunikate ka bërë të ditur se 5 personave të dyshuar për rrahjen e viktimës në shenjë hakmarrje u është caktuar masa e paraburgimit.

Pas kërkesës së Prokurorisë, personave me inicialet A.S., A.S., L.S., E.A. dhe E.I., u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për rrahjen e personit A.M.

Dyshohet se arsyeja e sulmit ndaj këtij personi, ka ardhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje paraprake, me ç‘rast edhe të dyshuarit për sulm në shenjë të hakmarrjes kanë shkuar te Restaurant “Berlini I”.

Prokuroria pretendon se A.M. është goditur në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit me mjete të forta metalike, ku si pasojë, i njëjti është dashur të trajtohet në Spitalin Regjional të Gjilanit.

Si rrjedhojë, këta pesë persona po dyshohen për kryerjen e katër veprave penale.

“Me këto veprime të pandehurit, dyshohet kanë kryer në bashkëveprim veprat penale: lëndim i rëndë trupor, mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, kanosje dhe posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, vepra këto të sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, sqaron komunikata.