Gjykimi në rastin e fajdeve në Prizren. Foto: Kallxo.com

Paraburgim për të Akuzuarit në Rastin e Fajdeve që Nuk po Vijnë në Seanca

Mbrojtësi i të akuzuarës Zyrafete Hukolli e njoftoi trupin gjykues se e akuzuara është e shtrirë në spital, mirëpo gjykatës nuk i solli kurrfarë dëshmie për gjendjen e saj shëndetësore.

Po ashtu, në seancën e së premtes mungoi edhe Ekrem Leci, për të cilin nuk pati informata as avokati i tij, ngase nuk lajmërohej as në telefon.

Të pranishëm në këtë seancë gjyqësore ishin edhe dy ekspertë të cilët prisnin për të dhënë mendimet e tyre para trupit gjykues.

Avokati, Hazër Susuri, propozoi që klientit të tij Besfort Omaj, t’i ndërpritet masa e paraburgimit ngase ai gjendet në paraburgim qe 26 muaj. Susuri po ashtu propozoi që të veçohet procedura penale për dy të akuzuarit të cilët nuk prezantuan në seancë gjyqësore.

Prokurorja speciale, Merita Bina Rugova, kundërshtoi propozimin për veçim të procedurës, ndërsa i propozoi trupit gjykues që ndaj dy të akuzuarve Zyrafete Hukolli dhe Ekrem Leci të caktohet masa e paraburgimit, pasiqë ka disa seanca gjyqësore të cilat janë shtyrë për shkak të këtyre të akuzuarve.

Trupi gjykues morri aktvendim me të cilin Hukollit dhe Lecit ua caktoi masën e paraburgimit.

Ndërsa seanca gjyqësore në mungesë të akuzuarve u shty, për të vazhduar më 29 dhe 30 qershor.

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm joproporcionale ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.

KALLXO.com e ka ndjekur vazhdimisht këtë proces gjyqësor.