Gjykata Themelore në Pejë - Foto: KALLXO.com

Paraburgim për Shtetasit Serbë që u Kapën me 9 Kg Drogë

Gjykata Themelore e Pejës ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për tre shtetasit e Serbisë, të cilët dje u arrestuan nga Policia e Kosovës pasi që në veturën me të cilën po udhëtonin u gjetën 9 kilogramë substancë narkotike.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Pejës, Selvane Bukleta.

Sipas njoftimit, P.Q., B.K., B.K., dyshohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

“Të pandehurit janë paraburgosur si të dyshuar kryesorë që me datë 01.03.2017 rreth orës 00:45 ne fshatit Gurrakoc në udhëkryqin që të shpie për në Klinë dhe Istog me qëllim të dërgimit, shpërndarjes dhe shitjes kanë poseduar dhe transportuar substancë narkotike e dyshuar e llojit marihuana në peshë të përgjithshme prej 9 kg e 170.2 gramë në atë mënyrë që derisa njësiti DHTN kanë ndaluar veturën ‘Lada’, pronë e të pandehurit P.Q., i cili edhe e drejtonte veturën e në të cilën gjendeshin të pandehurit B.K. dhe B.K. për shkak të dyshimit se në veturë kishte narkotik, e cila më pas dërgohet në parkingun e S.P. në Istog ku pas kontrollit te veturës janë gjetur dhe sekuestruar 19 paketime te narkotikeve te dyshuar si e llojit marihuana në peshë të përgjithshme prej 9 kilogram e 170.2 gramë”. thuhet në njoftimin e zëdhënëses Bukleta.

KALLXO.com dje raportoi rreth arrestimit nga Policia e Kosovës të tre shtetasve serbë me mbi 9 kilogram drogë në Istog.

http://kallxo.com/tre-shtetas-te-serbise-kapen-9-kg-droge-ne-istog/