Gjykata në Prizren | Foto: KALLXO.com

Paraburgim për Kërcënim të Gjyqtarit

Personit me inicialet K.B. Gjykata në Prizren ia ka caktuar masën e paraburgimit nën dyshimin për kërcënim të gjyqtarit Luan Berisha.

Në komunikatën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren thuhet se gjyqtari u kërcënua nga i paraburgosuri në një seancë gjyqësore në të cilën ishte i akuzuar.

“Gjatë tërë seancës i është kanosur të dëmtuarit gjyqtarit me iniciale L.B.  me fjalët ‘nëse unë shpallem fajtor ti do të kesh punë me mua’”, thuhet në komunikatë.

Aty më tutje tregohet se kërcënimi ka ndodhur në praninë e zyrtarëve policorë.

“Po ashtu edhe në prezencën e zyrtarëve policorë i është kanosë të njëjtit me fjalët kërcënuese ‘unë dhe ti do të shihemi përsëri, ti ke punë me mua’ , me ç’rast me këto veprime tek i dëmtuari ka shkaktuar ankth dhe frikë si dhe ia ka rrezikuar sigurinë personale”, shpjegohet më tutje në komunikatë.

Paraburgimin për K.B. nga fshati Buqe i Dragashit e kishte kërkuar prokuroria në Prizren.

Sipas komunikatës së gjykatës, paraburgimi për K. B. vlen nga 29 janari deri më 28 shkurt.