Foto-ilustrim

Paraburgim Mjekut dhe Policit të Kapur me Drogë

Paraburgimi prej 30 ditësh u është caktuar zyrtarit policor Shemsedin G. Dhe mjekut të dhëmbëve Valon M nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.

Lajmin për caktimin e paraburgimit e bëri të ditur për KALLXO.com gjyqtari Ali Kutllovci.

“Tash ka përfundu seanca dhe iu ka caktu masa e paraburgimit personave ne fjalë”, tha Kutllovci.

Pak para se të caktohej paraburgimi nga gjykata, prokurori Njazi Rexha tha për KALLXO.com se kishte kërkuar paraburgimin për të arrestuarit e mbrëmshëm.

Rexha tha se i mbetet gjykatës ta caktojë, ose jo këtë masë.

Zyrtari policor dhe mjeku i dhëmbëve u arrestuan dje në Mitrovicën Veriore në një aksion të koordinuar.

Me një veturë Golf pjesëtari i Policisë së Kosovës Shemsedin G. hetues në krimet rajonale të Mitrovicës dhe mjeku i dhëmbëve Valon M. ia kishin mësyrë veriut të vendit për të transportuar drogën e llojit marihuanë.

KALLXO.com mësoi mbrëmë se në aksionin e organizuar nga IPK dhe Drejtoria e Drogave policët ranë në pritë në Lagjen e Boshnjakëve, ndërsa në makinën e tyre u zbuluan mbi 7 kilogramë drogë.

http://kallxo.com/polici-hetues-nga-mitrovica-ne-makinen-e-droges/

Arrestimin e policit dhe mjekut e konfirmuan mbrëmë për KALLXO.com zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut Besim Hoti dhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha.

http://kallxo.com/zyrtari-policor-arrestohet-per-droge/