Gjykata Themelore në Prishtinë - Foto: KALLXO.com

Paraburgim Luftëtarit të Dyshuar të ISIS-it

30 ditë paraburgim është masa që Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar ndaj Ardian Gjurajt, shtetas i Kosovës, por i lindur në Koblenz të Gjermanisë.

Kështu, Gjykata miratoi kërkesën e prokurores speciale Merita Bina-Rugova lidhur me masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit për vepra që lidhen me terrorizëm.

Edhe Muhamet Humolli, avokati i të dyshuarit konfirmoi për KALLXO.com caktimin e kësaj mase. Ai paralajmëroi se do të bëjë ankesë në Gjykatën e Apelit ndaj këtij vendimi.

Gjuraj, i cili ishte deportuar nga Gjermania në prill të vitit 2015 në Kosovë, në dhjetor të po të njëjtit vit sipas Prokurorisë nga Aeroporti i Prishtinës ka udhëtuar në Turqi me OJQ-në “LIZA-R” dhe në aeroportin e Stambollit është ndarë nga grupi dhe ka vazhduar për në Siri.

Gjithnjë sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit, të cilën KALLXO.com e ka parë, Gjuraj në Stamboll është ndarë nga grupi dhe ka vazhduar për në Siri, ku edhe i është bashkangjitur organizatës ISIS në të cilën ka marrë pjesë aktivisht.

Prokuroria e ngarkon Gjurajn se ka marrë pjesë aktive në veprimtarinë e ISIS deri më datë 25 shkurt 2016, kur është zënë nga autoritetet turke me rastin e kalimit të kufirit dhe hyrjes në Turqi nga Siria.