Gjykata Themelore në Gjilan

Paraburgim Inspektorit që Kërkoi Ryshfet

Gjykata Themelore në Gjilan ia caktoi paraburgimin prej një muaji inspektorit të komunikacionit të Kamenicës me inicialet S. D. nën dyshimet se i kërkoi ryshfet një biznesmeni.

“I pandehuri S. D., në pozitën Inspektor i Komunikacionit në Komunën e Kamenicës, gjatë ditës së djeshme ka kërkuar ryshfet nga pronari i një kompanie të biznesit, për të kryer një shërbim”, thuhet në komunikatën e Gjykatës në Gjilan.

Sipas komunikatës, pasi biznesmeni kishte raportuar kërkimin e ryshfetit, inspektori ishte arrestuar në vend të punës.

“I dëmtuari menjëherë ka lajmëruar zyrtarët policorë, më pas organet e ndjekjes kanë ndërmarrë të gjitha hapat, duke aplikuar përdorimin e masave të fshehta të simulimit, ku i pandehuri është arrestuar në vendin e punës”, thuhet më tutje në komunikatë.

Gjykata tregon në komunikatë se palët kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën e Apelit rreth vendimit për paraburgim.

KALLXO.com ka shkruar edhe për raste tjera të marrjes së ryshfetit.