Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Paraburgim Dy të Dyshuarve për Kontrabandim me Emigrantë

Sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës për caktimin e paraburgimit, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit B.K. dhe Z.C. që nga fillimi i muajit shkurt 2017 e deri në momentin e arrestimit, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare kanë kontrabanduar emigrantë nga Kosova për në shtetet e Evropës, duke kaluar nëpër Serbi.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, dy të pandehurit në bashkëpunim dhe kombinim të plotë edhe me të dyshuar të tjerë, që për momentin janë në arrati, fillimisht kanë arritur të kontaktojnë me persona që janë të interesuar për të udhëtuar jashtë vendit në shtetet e Evropës, i kanë siguruar dhe furnizuar me dokumentacion të rrejshëm e pastaj duke shfrytëzuar automjete të ndryshme të marra me qira dhe përmes autobusëve që udhëtonin në ato relacione i kanë dërguar emigrantët deri te kufiri të cilin e kalonin në këmbë, me qëllim të arritjes në destinacionin e dëshiruar.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, varësisht nga destinacioni i vendit ku dëshironin të shkonin ata ishin të detyruar të paguanin shumën prej 2.000 deri në 3.000 euro.