Sjellja në gjykatë e të dyshuarve për vrasje të zyrtarëve të UNMIK-ut | Foto: KALLXO.com

Paraburgim 3 të Dyshuarve për Vrasjen e Policëve

Masa e paraburgimit u është caktuar Alban Dizdarit, Bajram Kiçmarit e Fik Shaqirit, të dyshuarve për vrasjen e dy policëve të UNMIK-ut në vitin 2004.

Lajmin për caktimin e paraburgimit e ka bërë të ditur Gjykata Themelore në Prishtinë me anë të një komunikate.

“Për shkak të veprës penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje dhe vrasje e rëndë e mbetur në tentativë të pandehurve  A.D, B.K dhe F. SH u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji duke llogaritur për secilin veç e veç, prej dt.05.07.2017 deri me dt. 05.08.2017”, thuhet në komunikatën e gjykatës.

Gjykata në komunikatë ka shpjeguar se si kishte ndodhur sulmi ndaj një makine të Policisë së UNMIK-ut para 13 vjetësh.

“Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit A.D, B.K dhe F. SH me 23 mars 2004 rreth orës 21:40 në Podujevë në bashkëkryerje i kishin zënë pritën një veture të policisë së UNMIK-ut. Ata qëlluan me armë së paku 108 herë në drejtim të veturës dhe katër pasagjerëve të saj”, thuhet në komunikatën e themelores në Prishtinë.

Gjykata më tutje jep edhe inicialet e personave që vdiqën nga sulmi.

“Kishin mbetur të vdekur P.E, zyrtar policor i UNMIK-ut dhe A.Rr, zyrtar policor i Kosovës, në kohën kur ata ishin duke i kryer detyrat e tyre të mbrojtjes së rendit ligjor”, shpjegohet në komunikatë.

Kundër aktvndimit të Gjykatës Themelore të pakënaqurit mund të ankohen në Gjykatën e Apelit.

Kërkesën për paraburgim të tre të dyshuarve për vrasjen e zyrtarëve policorë kosovarë e ndërkombëtarë, e kishte bërë prokurori në Prokurorinë Speciale të Kosovës Danilo Cecarelli.

http://kallxo.com/kerkohet-paraburgim-ndaj-te-dyshuarve-per-vrasje-te-zyrtareve-te-unmik-ut/

Alban Dizdari e Bajram Kiçmari u arrestuan në afërsi të Podujevës në një aksion të përbashkët të Policisë së EULEX-it dhe asaj të Kosovës.

http://kallxo.com/dy-te-arrestuar-per-vrasjen-dy-zyrtareve-te-unmik-ut-me-2004/

Zyrtarë të EULEX-it thanë për KALLXO.com  se arrestimet nuk lidheshin me Gjykatën Speciale.

http://kallxo.com/eulex-flet-per-aksionin-e-sotem-te-policise/

Tre të dyshuarit të enjten ishin sjellur në gjykatë nën masa të rrepta sigurie.

http://kallxo.com/blindohet-gjykata-per-te-dyshuarit-e-vrasjes-se-zyrtareve-te-unmik-ut/