Para Gjykatës për Skema Piramidale dhe Bixhoz

Gjykimi i Morinës nisi sot në Gjykatën Themelore në Gjakovë me leximin e aktakuzës nga prokurori Agron Matjani.

“Në periudhën kohore prej muajit qershor 2011 deri më datën 20 mars 2012 në fshatin Krushë e Madhe të Komunës së Rahovecit dhe në fshatin Brezë të Komunës së Dragashit me qëllim të kundërligjshëm të dobisë pasurore ka marrë pjesë dhe i ka organizuar lojërat e fatit për të cilat nuk është dhënë leja apo licenca,” tha Matjani.

Pas leximit të aktakuzës, Gëzim Morina u deklarua në lidhje me fajësinë apo pafajësinë.

“Deklarohem i pafajshëm,” tha i akuzuari Morina.

Sipas aktakuzës, i pandehuri ka punuar në njësinë e kompanisë “Toto Star Sport” dhe nga kjo ka përfituar shumën e parave prej 27 mijë e 600 eurove.

Aktakuza gjithashtu e ngarkon Morinën se punoi me qëllim të shmangies dhe fshehjes së tërësishme të pagesës së tatimit që kërkohet me ligj.

Seanca e radhës do të mbahet me 18 korrik 2016.