Presidenti Thaçi mban fjalimin e fundvitit para FSK-së - Foto: Presidenca e Kosovës

Para FSK-së, Presidenti Flet për Izolimin dhe Zgjedhjet

Në fjalimin e tij të fundvitit para pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës, FSK, presidenti Hashim Thaçi ka folur për organizimin e suksesshëm të dy palë zgjedhjeve, ndërsa është shprehur i dëshpëruar se Kosova mbetet padrejtësisht e izoluar.

“E shpreh mirënjohjen për faktin se sivjet kemi kalu dy raste, dy teste të pjekurisë demokratike përmes organizimit të suksesshëm të zgjedhjeve”, tha Thaçi.

Ai ka përmendur se shpejtësia me të cilën Kosova ka arritur të kthejë fatin e vet në dorë në tri dekadat e fundit është i pashembullt.

“Kemi pasë fatin dhe nderin me qenë pjesë e gjeneratës historike që e nxorën këtë vend nga shkelja, përbuzja, keqtrajtimi, dhe nënshtrimi. Kemi bërë shumë për vendin tonë dhe për këtë jemi gjithmonë ballëhapur. Por, a ka përfunduar puna jonë me kaq? Sigurisht që jo  Mendoj se ne mund të bëjmë shumë më tepër”, theksoi presidenti.

“Në rrafshin ndërkombëtar kemi marrë numër të madh të njohjeve por nuk jemi ende aty ku dëshirojmë dhe ku duhet të jemi”, shtoi Thaçi.

Sipas presidentit, koha e misioneve ndërkombëtare në Kosovë ka kaluar. “Ne i mbetemi mirënjohës bashkësisë ndërkombëtare për çdo të mirë që i kanë sjellë Kosovës ashtu siç i mbajmë përgjegjës për të gjitha lëshimet dhe dështimet e tyre”, tha ai.

Thaçi ka thënë se detyra historike që kanë para vetes është që të ndërtojnë një ardhmëri të Kosovës si vend i lirë, demokratik, paqedashës, i cili do të jetë i gjithë qytetarëve pa dallim etnik.

Sipas tij, përgjegjësia për të ardhmen dhe sotmen tonë është në duart tona.

“Dhuna nuk ka vend në Kosovë aq më tepër dhuna në institucione. Është turp dhe nuk mund të justifikohet me asgjë”, tha presidenti.

Ai i ka lutur të gjithë që të distancohen nga ky lloj i sjelljes dhe të punojnë në ndërtimin e urave për bashkëpunimin.

Sa i përket Gjykatës Speciale, presidenti Thaçi tha se e kanë votuar institucionet për ta ruajtur partneritetin me ShBA-në, NATO-n dhe BE-në.

“Sikur të kishte drejtësi të tillë 100 gjykata speciale duhej te bëheshin vetëm për krimet e Serbisë dhe Sllobodan Millosheviqin për krimet që ka kryer në shtetet e Ballkanit dhe këtu në Kosovë”, u shpreh Thaçi.

Sipas tij, paradoksi me të cilin ballafaqohemi është dëshpërues.

“Serbia sot e ka derën e hapur për në Bashkimin Europian ndërsa Kosova padrejtësisht mbahet e izoluar”, theksoi ai.

Presidenti tha se Kosova duhet të përfundojë tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të themelojë ushtrinë multietnike – Forcën e Armatosur të Kosovës.

“Ashtu siç jeni sot, ju do të jeni forcë multietnike, profesionale, mbrojtëse, që do të përfaqësoni me krenari shtetin tonë. Kosova duhet të ketë kapacitet të plotë të mbrojtjes dhe një ushtri moderne që do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe kudo që paraqitet nevoja në botë“, tha presidenti, i cili tha se ndihet krenar me sukseset e pjesëtarëve të FSK-së në gara dhe në akademi të njohura botërore.

“Uniforma që ju bartni është ëndrra e stërgjyshërve tuaj e kthyer sot në realitet”, shtoi presidenti i Kosovës.

Presidenti Thaçi kishte premtuar në fillim të këtij viti shndërrimin e FSK-së në FAK “brenda pak ditësh”, por u tërhoq nga kjo nismë përballë presionit dhe sugjerimeve të faktorëve ndërkombëtarë, të cilët kërkonin që ky proces të ndodhte përmes ndryshimeve kushtetuese e jo thjesht përmes ndryshimit të Ligjit të FSK-së.

Thaçi: Parada e Fundit e FSK-së Me këtë Emër

Ndërsa, në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt 2014, Hashim Thaçi, atëherë kryeministër, kishte thënë se parakalimi i FSK-së i asaj dite ishte i fundit për këtë forcë me këtë emër.