Paqartësia mbi Pronësinë e Tokës Rrezikon Ndërtimin e Konviktit

Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta po ankohet për neglizhencë nga Komuna e Prishtinës në sqarimin e pronësisë së një parcele të tokës ku po planifikohet ndërtimi i një konvikti të ri për studentë.

Ndërkaq në komunë premtojnë se një përgjigje me shkrim për sqarimin e pronësisë së kësaj toke do t’i shkojë së shpejti Qendrës së Studentëve.

Sfishta thotë se parcelat për të cilat ata kanë kërkuar sqarim nga Komuna e Prishtinës i takojnë Qendrës së Studentëve në bazë të një rregullimi urbanistik të vitit 1985.

“Ne kemi planifikuar që të fillojmë ndërtimin edhe të konviktit numër nëntë, por jo në këto hapësira, por e kemi një parcelë toke që është pranë Fakultetit Teknik e cila i plotëson kushtet që të ndërtohet edhe një konvikt tjetër atje. [Toka] rrjedhimisht duhet të jetë e Qendrës së Studentëve sepse logjikisht është  e ngjitur me mensën e re të studentëve.. dhe ju ka nda Qendrës së Studentëve vitet e mëhershme”, tha Sfishta.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri thotë se Drejtoria Komunale e Pronës ka ardhur në përfundim se parcela në fjalë i takon Komunës së Prishtinës dhe si e tillë duhet të kërkohet për shfrytëzim nga Qendra e Studentëve.

“Qendra  e Studentëve ka bërë një kërkesë në Drejtorinë e Pronës sipas së cilës thuhet se në vitin 1985 dy parcela i janë dhënë për shfrytëzim të përhershëm Qendrës së Studentëve në bazë të një kontrate të po atij viti dhe me analizën që i kanë bërë të gjithë dokumentacionit, ekspertët e drejtorisë kanë konstatuar se sipas dokumenteve ekzistuese nuk është e vërtetë se këto parcela janë dhënë në shfrytëzim të përhershëm”, tha Tahiri.

Tahiri arsyetoi vonesën e kthimit të përgjigjes për Qendrën e Studentëve me numrin e madh të lëndëve me të cilat po merret Drejtoria e Pronës në Komunën e Prishtinës.

Drejtori Sfishta tha se Qendra e Studentëve ka kërkuar sqarim për këto prona nga komuna që prej 20 janarit.