foto ilustrim

Konferenca e Forumit të Iniciativës Qytetare | Foto: KALLXO.com

Papunësia Problemi Kryesor në Komunat e Vogla

Mungesa e vendeve të punës dhe projekteve zhvillimore, mungesa e transparencës, mungesa e aktiviteteve kulturore dhe sportive për të rinjtë, qasja e varfër sociale ndaj qytetarëve në nevojë janë vetëm disa nga problemet që janë ngritur nga qytetarët e 10 komunave më të vogla të Kosovës.

Këto ankesa të qytetarëve janë prezantuar në raportin me temë “Problemet që Cenojnë Mirëqenien e Banorëve në Fshatrat dhe Qytezat e Kosovës” të hartuar nga Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ).

FIQ ka organizuar takime me qytetarët në secilën prej këtyre komunave nga muaji shkurt deri në muajin maj, takime ku kanë marrë pjesë persona të moshave e profesioneve të ndryshme, grupe të rinjsh, OJQ të ndryshme dhe zyrtarë komunalë.

Sipas këtij raporti, Komuna e Fushë-Kosovës ka probleme në menaxhimin e shërbimeve, mungesën e sigurisë në komunikacion sidomos tejkalimin e shpejtësisë së lejuar, mungesën e shenjave në komunikacion gjithashtu banorët kanë ngritur si problem edhe mungesën e shkollave fillore dhe çerdheve publike dhe papunësinë.

Banorët e Komunës së Istogut si problem prioritar e kanë ngritur papunësinë dhe punësimin në bazë të nepotizmit, kurse problemet e tjera të ngritura janë mungesa e subvencioneve në bujqësi dhe lënia anash e grupeve të margjinalizuara si personat me nevoja të veçanta dhe nënat kryefamiljare.

Në Komunën e Kaçanikut gjithashtu problemi kryesor që është ngritur në takimin me FIQ-in ishte papunësia e sidomos tek të rinjtë, banorët gjithashtu  theksuan mungesën e cilësisë në mësimdhënie, mungesën e aktivizimit të të rinjve në aktivitete kulturore e sportive, ndotjen e ambientit dhe shërbimin shëndetësor të dobët.

Çështja kryesore që është ngritur nga banorët e Kamenicës është ekonomia e dobët dhe mungesa e investitorëve për të hapur biznese. Banorët në këtë komunë janë ankuar se të rinjtë dhe familjet të cilat kanë pasur pak mundësi e kanë lëshuar këtë qytet.

Banorët e Komunës së Malishevës sipas këtij raporti më së shumti preokupohen me mungesën e ideve dhe projekteve për ta integruar talentin dhe potencialin e rinisë. Kurse në komunën e Shtimes banorët u treguan kritikë për udhëheqësinë e komunës për të cilën thanë se i mungon transparenca në kontratat publike dhe nuk i përfshin qytetarët në vendimmarrje.

Dajana Berisha, drejtoreshë ekzekutive e FIQ-it tha se po punojnë bashkërisht me këta qytetarë dhe po mendojnë të krijojmë një koalicion civil që bashkërisht t’i identifikojnë dy-tri zgjidhjet më të mira për secilën komunë dhe me këto rekomandime të shkojnë te komunat.

“Me avoku tek komunat që këto dy- tri gjëra duhen bërë sa më shpejt që të jetë e mundur, monitorimi do të jetë i vazhdueshëm për komunat. Nëse nuk do të gjejmë zgjidhje te komunat atëherë do të shkojmë të provojmë në nivelin qendror siç kemi bërë edhe me aksionet e tjera të FIQ-it” tha Berisha.

Remzi Reka nga organizata për mbrojtjen e mjedisit “Gjethi” e cila gjendet në Kaçanik tha se problemi më i madh në Kaçanik është diferencimi politik.

“Nëse dikush mendon ndryshe apo vepron ndryshe, frikësohet se po e qet prej punës, ose nuk do të ketë më shanse të konkurrojë për punë”, tha Reka.

Disa nga rekomandimet e FIQ-t janë se duhet të merren masa për uljen e papunësisë, të funksionalizohen shtëpitë e kulturës, qendrat rinore e terrenet sportive, duhet të shfrytëzohen monumentet kulturore për të zhvilluar turizmin e ekonominë, të krijohen projekte për zhvillimin e bujqësisë dhe të bëhet pastrimi dhe rregullimi i qytetit.