Papadopoulou: Me Thashetheme nuk Promovohet Sundimi i Ligjit

Shefja e EULEX-it Aleksandra Papadopoulou reagoi sot pasi në një emision të RTK-së u fol për sjelljen e gjyqtarëve të EULEX-it në lidhje me disa gjykime për krime lufte.

Papadopoulou i vlerësoi të njëanshme ato që u thanë.

“Rrëfimet e njëanshme të pakonfirmuara e kompromentojnë integritetin dhe profesionalizmin e gjyqtarëve, qofshin ata vendas apo ndërkombëtarë. Përveç kësaj, ato e minojnë autoritetin e gjykatave të Kosovës”, tha Papadoupolou, sipas një komunikate të EULEX-it.

Më tutje shefja e EULEX-it deklaroi se misioni europian respekton gjyqësorin kosovar.

“Ky Mision e respekton plotësisht integritetin e sistemit gjyqësor të Kosovës, si dhe të gjitha vendimet dhe aktgjykimet e gjykatave kosovare në të cilat janë të përfshirë dhe të integruar plotësisht edhe gjyqtarët e EULEX-it”, tha Papadopoulou, sipas komunikatës.

Më tutje në komunikatë thuhet se Papadopoulou konstatoi se këto çështje nuk duhet trajtuar në një emision televiziv.

“Ky Mision më tej theksoi se beson fuqishëm që këto çështje duhet të trajtohen nga autoritetet përkatëse, “dhe jo nga mendimet personale të shprehura në një program televiziv”, thuhet në komunikatë.

Ish-shefi i gjyqtarëve të EULEX-it Malcolm Simmons gjashtë ditë më parë në një intervistë për gazetën franceze “Le Monde” e cilësoi misionin europian si politik, duke thënë se dëshironte ta rrëzonte një pjesë të klasës politike kosovare.

http://kallxo.com/dyshime-per-korrupsion-ne-eulex-jep-doreheqje-gjyqtari-simmons/

EULEX-i reagoi pastaj duke thënë se Malcolm Simmons është duke u hetuar.

http://kallxo.com/eulex-malcolm-simmons-eshte-duke-u-hetuar/