Panairit Bujqësor kur Bëhet Rajonal i Pakësohen Vizitorët

Panairi bujqësor edhe pse sivjet ishte rajonal, sipas prodhuesve nuk arriti të tërheqë vëmendjen e vizitorëve.

Shenazi Salihu, njëri nga prezantuesit e prodhimeve vendase nuk ishte shumë i kënaqur me vizitorët dhe organizimin.

“ Këtë vit diçka intensiteti ka qenë më i dobët se vitin e kaluar, e kam fjalën për vizitorët. Organizimi ka qenë në nivel, po çështja e organizimit teknik ka qenë më e dobët, prandaj ka pasur vizitorë më pak se vitin e kaluar,” tha për KALLXO.com Salihu.

Edhe Sherif Idrizaj që erdhi nga Istogu për ta vizituar panairin, deklaroi se ai nuk i përmbushi pritshmëritë e tij.

“Nuk ia mbush syrin njeriut. Me këto kpacitete me thënë që po bëjmë diçka, është shumë pak,” tha ai.

Por Mehdi Kika, koordinatori i këtij panairi, e vlerësoi pjesëmarrjen e prodhuesve rajonalë dhe evropianë.

“Më tepër ka pasur ekspozime vendore kosovare, mirëpo deri këtë vit panairi tashmë tradicional ka pasur karakterin e brendshëm kosovar. Këtë vit për shkak të rrethanave të ndryshme dhe interesimit të madh [të prodhuesve] kemi pasur produkte nga Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Austria e Sllovenia,” tha Kika.

Panairi i produkteve Bujqësore, Agroindustriale dhe Tregtisë Inverse u hap në fshatin Shkabaj më 30 shtator. Në ditën e hapjes atë e vizituan ministrat e bujqësisë të Shqipërisë dhe Kosovës.