Pamje nga takimi konsultues i 9 gushtit - Foto: KALLXO.com

PAN Nuk Merr Pjesë në Seancën e Nesërme

Përfaqësuesi i grupit parlamentar të PDK-së në takimin e sotëm konsultues, Enver Hoxhaj, tha se koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN), nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës, të thirrur nga kryesuesi i seancës konstituive Adem Mikullovci.

“Në kundërshtim me pajtimin qe kemi pasur që këtë të mërkurë të shihemi dhe të marrim vendimet, ne nuk do të marrim pjesë në seancë. Ju mund të hyni e të dilni sa herë të doni”, tha Hoxhaj gjatë takimit konsultues.

Po ashtu, ai theksoi se në mbledhjen e fundit kishin rënë dakord  që subjektet politike të vendosin kur të mbahet seanca.

Rreth kësaj çështjeje atij iu përgjigj kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci, duke thënë se seancën ai nuk e ka caktuar krye më vete.

Në takimin e sotëm konsultues, të thirrur nga kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci, janë të pranishëm përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e ri me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në këtë takim po diskutohet për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, gjatë të cilës pritet të zgjidhen kryetari dhe nënkryetari i Kuvendit.

Seanca konstituive e 3 gushtit pas betimit të deputetëvë të legjislaturës së re kishte përfunduar pa zgjedhjen e udhëheqjes së Kuvendit.

Të njëjtën ditë dhe të nesërmen ishte mbajtur vazhdimi i seancës, por kishin dështuar në mungesë kuorumi.

Ndryshe, kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullovci, ka thirrur për nesër vazhdimin e seancës konstituive.