Qeveria e Kosovës - Foto: KALLXO.com

PAN Nuk e Di Datën e Votimit për Qeverinë

I kontaktuar nga KALLXO.com, Blerand Stavileci, zyrtar i PDK-së, tha se nga data 3 gusht do të nisë një epokë e re, me institucione të reja.

Ai aludoi në datën e caktuar për mbajtjen e seancës konstituive të legjislaturës së re të dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit.

“Koalicioni fitues do t’i krijoje institucionet e reja”, tha Stavileci për KALLXO.com, duke shtuar se “pak ka rëndësi minuta ose sekonda kur ndodhin këto vendime dhe veprime”.

Ndërsa, zyrtari i AAK-së, partia tjetër e koalicionit PAN, Muharrem Nitaj, tha për KALLXO.com se akoma nuk është vendosur për datën e votimit të Qeverisë së re të Kosovës.

“Megjithatë, nuk besoj se do te votohet të njëjtën ditë”, tha Nitaj, duke aluduar në seancën e 3 gushtit kur do të votohet për kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka ftuar deputetët e rinj të zgjedhur në zgjedhjet e 11 qershorit në seancën konstituive kur në rend dite do të jenë tri pika: Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, dhënia e betimit të deputetëve dhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.

http://kallxo.com/formimi-qeverise-nuk-eshte-ne-rend-dite-ne-seancen-e-3-gushtit/

Ndërsa, kryeministri në detyrë Isa Mustafa në një postim të bërë pak orë më parë la të kuptohet se koalicioni PAN nuk i ka numrat për formimin e Qeverisë.

http://kallxo.com/mustafa-fillimi-ri-pdk-se-deshtoi/