Pamje nga takimi konsultues i 9 gushtit - Foto: KALLXO.com

PAN Garanton Pjesëmarrjen në Seancën e 24 Gushtit, LAA Dyshon

Pas takimit konsultativ mes subjekteve politike, ku Lëvizja Vetëvendosje nuk ka marrë pjesë, Enver Hoxhaj në emër të PAN-it e konfirmoi edhe një herë që u arrit një marrëveshje që më 24 gusht të mbahet seanca për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

“Arritëm një marrëveshje – ujdi që më 24 gusht të mbahet seanca ku ne si koalicion do të dalim me kandidatin për kryetar të Kuvendit”, tha Hoxhaj duke e falënderuar Adem Mikullovcin për thirrje të takimit dhe përfaqësuesit e subjekteve politike që ishin prezentë.

Ai siguroi që do të jenë në seancën në të cilën sipas tij do të dalin me propozime konkrete dhe në një afat të shkurtër të krijohet edhe Qeveria.

Hoxhaj ka treguar se deri më tani koalicioni PAN nuk ka bërë ndarje të posteve, dhe se ai nuk do të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit.

“Deri më tani nuk mund të them se mes partnerëve të koalicionit ka pasë ndarje të posteve. Kam pasë pyetje se a do të jem kandidat, unë nuk do të jem për Kuvend”, tha Hoxhaj.

Enver Hoxhaj nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse i kanë siguruar numrat. “Më 24 do të shihni se çka është i 24-ti”, është përgjigjur ai.

Ndërkohë, edhe Ilir Deda u deklarua pas takimit, duke e vënë në dyshim sërish pjesëmarrjen e PAN-it në seancën e 24 gushtit.

“Përsëri përfaqësuesit e PAN-it u zotuan me marrë pjesë në një seancë. Javën e kaluar u patën zotu që do të marrin pjesë në seancë të 17 ose 18 gushtit e tash po thonë 24”, tha Deda.

Ndryshe, gjatë takimit drejtuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci, e kishte pranuar propozimin e koalicionit PAN që vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të caktohet më 24 gusht.