Pllakati në Mushtisht me fotografi nga lufta | Foto: KALLXO.com

Pamje të Luftës si Reagim ndaj Kthimit

Në tabelën e vënë në qendër të fshatit te lapidari i dëshmorëve të Mushtishtit janë paraqitur persona të vrarë dhe shtëpi të djegura nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1997-1999.

Në tabelë, përveç fotografive, në anglisht dhe shqip është shkruar “kjo është ajo që lanë pas veti kur u larguan nga Mushtishti serbët lokal”.

Abdyl Osmani, njëri nga të rinjtë vendosës të tabelës tha për KALLXO.com se me këtë veprim pjesëmarrësit e tij janë munduar të tregojnë atë që ndodhi.

“Me këtë tabelë jemi mundu sadopak të pasqyronim në disa foto të bamat e serbëve lokalë dhe ushtrisë serbe ne Mushtisht. Ata kërkonin kthimin, por nuk e bënë asnjë hap për të na i kthye te pagjeturit, për të dhënë llogari për  vrasjet,” tha Abdyl Osmani.

Për Osmanin kthimi i serbëve në Mushtisht është i pamundur “pasi që ende janë të freskëta plagët e luftës të shkaktuara nga banorët serbë të këtij fshati”.

Tabela me fotografi nga koha e luftës u ngrit në qendër të fshatit, pas kërkesës së 10 familjeve serbe të shpërngulura nga Mushtishti që të kthehn në këtë fshat të Suharekës.

Projektin për kthimin e tyre e shpalli ministri për Kthim dhe Komunitete Dalibor Jevtiq në qershor të këtij viti gjatë një vizite me një grup të serbëve të shpërngulur nga ky fshat.

Shqiptarët e serbët kishin jetuar në Mushtisht deri në vitin 1999.

Por shqiptarët, që kanë përbërë shumicën e popullsisë, tani ankohen se kanë qenë disa serbë lokalë ata të cilët kanë udhëhequr fushatat e vrasjeve të njerëzve, djegies së shtëpive dhe plaçkitjeve gjatë kohës së luftës së vitit 1999.

Kërkesa e familjeve serbe për t’u kthyer ngjalli reagim kundërshtues të banorëve shqiptarë, për të cilin KALLXO.com shkroi edhe në korrik

http://kallxo.com/e-kaluara-e-erret-erreson-kthimin-e-serbeve-ne-mushtisht/