Pallatin e Drejtësisë e Merr Uji

Problemet nuk kanë ndalur në Pallatin e Drejtësisë, sado që ende nuk është bërë një muaj qëkur stafi i gjykatave dhe prokurorive janë vendosur në këtë ndërtesë, në dukje nga jashtë, moderne.

Zyrtarë të Apelit, të enjten nuk e kanë nisur punën si zakonisht pasi janë ballafaquar me rrjedhje të ujit, i cili ka ka rrjedhur tërë natën në disa prej zyreve të këtij objekti. Shkak i gjithë kësaj është plasja e gypave.

Luljeta Kollona, administratore e Prokurorisë së Apelit, tha se nga rrjedhjet e ujit janë shkaktuar dëme të mëdha.

Si pasojë e kësaj, Prokurori Haxhi Derguti është detyruar që të kalojë në një zyre tjetër përkohësisht, pasiqë në zyrën e tij nga rrjedhja e ujit nuk mund të punohet.

Sipas Administratores Luljeta Kollona, problemet në objektin e ri janë të shumta. Ajo thotë se që nga 2 shkurti i këtij viti janë vendosur në këto zyre, por nuk janë të kënaqur pasi vazhdimisht ka ankesa nga stafi për problemet me të cilat po ballafaqohen.

Ndonëse është pritur për disa vite që stafi i Prokurorisë së Apelit të vendoset në Pallatin e Drejtësisë, aty problemet teknike vazhdojnë të pengojnë punën e zyrtarëve të saj.

Pallati i Drejtësisë është ndërtuar me donacion nga Komisioni Evropian si investimi më i madh i ardhur si donacion nga Brukseli për institucionet e Kosovës por problemet në këtë ndërtesë nuk kanë pushuar asnjëherë pavarësisht vonesave në kryerjen e punëve.